Krisje totale, Hames-Bajern drejt “divorcit”

Prej disa ditësh, marrëdhënia ndërmjet Hamez Rodriguez dhe klubit të Bajernit të Mynihut është krisur në mënyrë të pariparueshme. Pas debatit me trajnerin Niko Kovaç dhe paraqitjes me vonesë në stërvitjen e fundit përpara ndeshjes me Dortmund, mbrëmjen e kaluar, duket se çdo gjë e ka kaluar cakun, teksa kolumbiani nuk u aktivizua për asnjë minutë në disfatën ndaj verdhezinjve.

Episodet me kolumbianin duket se i kanë bindur drejtuesit e klubit bavarez, që lojtari nuk ka më vend në skuadër. Tashmë mbetet vetëm hapja e merkatos së dimrit, por vendimi duket se është marrë: në janar, Hamez Rodriguez do të largohet.

Problemet me yllin e skuadrës nisën pas debatit që ai kishte me trajnerin Kovaç në dhomat e zhveshjes. Sikur kjo të mos mjaftonte, më 27 tetor, mesfushori u përfshi në debat edhe me Salihamixhiç, pas ndeshjes së luajtur me Maincin në kampionat. Në atë rast, Hamez qëndroi për 90 minuta në stol.

Kur u përball me drejtorin sportiv, fillimisht kolumbiani nuk i foli, ndërsa pas pak metrash u kthye duke i thënë: “Po gabohesh”. Lojtari është te Bajerni në formë huazimi për dy vjet nga Reali i Madridit. Pasi ishte titullar me Ançelotin dhe Hejnkes, prej momentit të emërimit të Niko Kovaç në stol, Rodriguez ka luajtur vetëm 639 minuta në 13 ndeshje mes Bundesligës, Kupës së Gjermanisë dhe Champions League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *