Katër ekipe rrezikojnë Superioren, KE bën revolucion me skemat

Komiteti Ekzekutiv është mbledhur ditën e sotme dhe është vendosur për Superioren, që veçmas dy vendeve të fundit që bien në Kategorinë e Parë direkt, vendi i tetë të luajë “play-off”. Me të përballet fituesi i çiftit të vendeve të dyta të së Parës.

Kështu, tanimë ekziston mundësia që tre ekipe të ngjiten në Superiore. E Para në vazhdim do fillojë të bëhet me më pak skuadra, për të zbritur deri në 14 brenda 4 viteve. Këtë sezon pikët nuk do të përgjysmohen, ndërsa fazën e tretë grupet do ndahen në dy pjesë, vendet 1-4 përballen mes tyre dhe vendet 5-10 mes tyre. Dy bien direkt sërish dhe vendet e teta luajnë play-out me vendet e dyta në Kategorinë e Dytë.

LICENCIMET

Që Flamurtari është i mbytur financiarisht, tashmë këtë nuk mundohen as ta fshehin në Vlorë, por më në fund edhe FSHF bëhet e gjallë dhe del me një vendim, që për momentin është paralajmërim, por shumë shpejt, në 1 gusht, mund të bëhet realitet.

Klubi vlonjat, për shkak të mosplotësimit të kritereve financiare, rrezikon përjashtimin nga Kategoria Superiore. Licencimi në kupat e Europës është trajtuar gjithnjë si histori më vete, por tashmë edhe FSHF po nis të tregohet pak më e rreptë për klubet e mbytur në borxhe, Flamurtari i pari.

Nëse deri në gusht nuk shlyhen futbollistët e shumë që presin pagat, Flamurtari zbret një kategori më poshtë dhe vendin e tij e merr Kastrioti.

Nuk mbaron me kaq, sepse edhe Tirana milionere, që shpenzon mijëra euro për emra si Elton Cale e Torassa, është e mbytur dhe ashtu si Flamurtari është paralajmëruar me përjashtim. “Dhia e krimbur e bishtin përpjetë”, si i thonë fjalës…

Të njëjtin fat mund ta kenë edhe Vllaznia e Luftëtari, dy klube me probleme pa fund, që kanë një organizim skandaloz dhe rrezikojnë shumë. Vllaznia nuk ka kokë e bisht, ndërsa Luftëtari ka një vit që e ka katranosur, me lojtarë të papaguar e dyshime të forta për trukim në Europa League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *