Juliano: Përgjigjja e duhur, tani radha e kampionatit

Trajneri i Partizanit: Të rinjtë më pëlqyen. Do të dalim nga kjo situatë. Flasim mes nesh dhe po punojmë për këtë gjë

Trajneri i Partizanit, Mark Juliano, ka folur për gazetarët e pranishëm në Kamzë pas ndeshjes me Naftëtarin. Italiani është shfaqur më i qetë dhe e pranon se ka marrë përgjigjet e duhura nga lojtarët e afruar në merkaton e verës. Italiani ka përgëzuar lojtarët e tij dhe është mjaft optimist se ekipi do të gjejë shumë shpejt fitoren e parë.

“Ishte shumë e rëndësishme kjo ndeshje, pasi luajtën lojtarët që nuk kishin minuta dhe nuk kanë qenë në gjendje. Ata më dhanë përgjigjen e duhur sot (dje). Nuk mund të futem në emra konkretë, pasi më kanë pëlqyer të gjithë: Xhixhiua, Bardhi, Selvaxhio, Malota që u rikthye nga dëmtimi. Janë djem që kanë nevojë për më shumë minuta për t’u rritur. Jam i kënaqur, pasi shfaqën karakter, por më vjen më mirë që e kanë kuptuar që për të luajtur duhet të demonstrojnë karakter, të kenë grintë dhe të japin maksimumin në fushë”, – shprehet Juliano për ndeshjen. Më tej, vëmendja kalon nga kampionati, aty ku edhe Partizani ka bërë startin më të keq mbase edhe që nga themelimi i klubit. 3 ndeshje, 1 pikë dhe asnjë gol i shënuar. Numri një i stolit është i vetëdijshëm se situata është mjaft delikate dhe “demat” duhet të reagojnë. “Sigurisht që më të rëndësishme janë fitoret në kampionat. Ne duhet të arrijmë fitoren e parë dhe po punojmë për të. Të fitojmë dhe djemtë do ta kenë më të lehtë për të ecur përpara dhe për të besuar në punën që po bëjmë. Ne duam të arrijmë fitoren e parë në kampionat”.

Më tej, numri një i stolit flet edhe për klimën që eksiton në ekip dhe faktin se si mund të kalohet kjo situatë e vështirë. “Djemtë flasin me mua dhe mes tyre për situatën që po kalojmë. Jemi të bindur se do të dalim nga kjo situatë dhe kemi nevojë që të rikthejmë edhe besimin te tifozët. Fitorja në Kupë ishte një përgjigje mjaft e mirë për të na çuar drejt fitores së parë edhe në kampionat. Kemi 40 ditë që përgatitemi për të dhe besoj se do të ia arrijmë shumë shpejt. Disa nga lojtarët po kalojnë shqetësimet, të tjerët po kapin formën më të mirë, prandaj them se jemi në rritje”, – përfundon Juliano.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *