Infantino: Rubiales me principe dhe vizion, Spanja shkon larg

0

Shkarkimi i trajnerit Lopetegui nga kombëtarja e Spanjës, vetëm pak ditë para nisjes së Botërorit të Rusisë, shkaktoi polemika në vendin iberik. Federata spanjolle veproi shpejt dhe “pa mëshirë”. Luis Rubiales, kreu i futbollit spanjoll, mori një vendim të guximshëm, duke shkarkuar trajnerin.

Lopetegui kishte nënshkruar me Realin e Madridit dhe zyrtarizimi i tij u bë me datë 13 qershor. Kjo gjë solli irritimin e federatës spanjolle, pasi Lopetegui sapo kishte rinovuar kontratën e tij me Spanjën.

Ditën e sotme u zhvillua asambleja e përgjithshme e federatës spanjolle dhe në të morën pjesë dhe krerët e futbollit botëror. Xhani Infantino, kreu i FIFA-s dhe Aleksandër Ceferin, kreu i UEFA-s. Një gjest politik i mbështetjes së qeverisë botërore të futbollit ndaj kreut të federatës spanjolle, pasi drejtuesit e FIFA-s dhe UEFA-s rrallë herë marrin pjesë në asambletë e përgjithshme të vendeve përkatëse.

“Luis dhe bordi i tij morën një vendim tepër korrekt. Vlerat dhe principet e Rubiales janë po të njëjtat që nga koha kur e njoh. Janë këto cilësi që e bënë atë president të federatës: sinqeriteti, ndershmëria, puna e madhe dhe kurajo e tij. Ai është një person trim dhe kjo është e rëndësishme për të ardhmen, për të marrë vendime dhe për të ecur përpara. Sigurisht që kur vendimet janë marrë ka dhe kritika.”

“Disa nga gjërat që kam lexuar pas eliminimit të Spanjës nga Kupa e Botës janë, me gjithë respektin, të pabesueshme. Spanja u eliminua me pak fat të keq nëpërmjet penalltive. Nëse do kishin kaluar Rusinë, të gjithë do flisnin për punën e mirë të Rubiales. Gjëja më e rëndësishme është të marrësh vendime dhe vendimet e kreut të federatës spanjolle kanë qenë absolutisht korrekte. Me këtë mentalitet jam i bindur që RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit) do të shkojë larg, tepër larg…”

“Të marrësh drejtimin e një institucioni në kohë krize është gjithmonë e vështirë. RFEF ka përjetuar një periudhë të vështirë muajt e fundit. Presidentit i është dashur të marrë vendime të vështira dhe radikale që prodhuan kritika, por ishin tepër të nevojshme. Nuk kam dyshim që Luis Rubiales, me njohuritë që zotëron dhe vizionin e tij për futbollin, do të jetë një lider i madh për federatën dhe futbollin spanjoll”, mbyll prononcimin e tij Xhani Infantino.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.