Hysaj: “Do të më pëlqente rinovimi. Ronaldo, një stimul më shumë”

0

Elseid Hysaj është përfolur shumë këtë verë se mund të largohet nga Napoli, por shkodrani duket se e ka ndarë mendjen dhe për një sezon tjetër do ta shohim në Itali. Ndonëse Çelsi ishte gati që ta bashkonte me Sarrin, mbrojtësi do të provojë dhe një edicion tjetër që të fitojë trofe në Seria A. Për “TV Luna” Hysaj ka prekur shumë tema në prag të edicionit të ri dhe nuk kishte si të linte jashtë vëmendjes dhe një koment për Ronaldon, të cilin tani do të ketë për detyrë që ta markojë. Për mbrojtësin e Shqipërisë, kjo është një sfidë që atij i pëlqen dhe ka një premtim për tifozët Napolit, duke veçuar se portugezi nuk do të arrijë që ta ndëshkojë Napolin.

AFRIMET – “I kemi pritur mirë dhe po argëtohen. Do të na ndihmojnë shumë. Shpresojmë që edhe Gulam të bashkohet sa më parë me grupin, ndërsa Kulibali është shumë i fortë, do na ndihmojë shumë. Faza përgatitore po ecën mirë, shpresojmë të vazhdojmë kështu dhe të shkojmë në formë të mirë në takimin miqësor me Kievon.”

ANÇELOTI – “Të ndryshoj mënyrën e lojës me Ançelotin? Për mua nuk ka asnjë problem, ai është një trajner i madh. E di se çfarë kërkon nga unë dhe do të jap gjithmonë më të mirën time. Ndryshimi mes Ançelotit e Sarrit? Ançeloti ka fituar shumë, është trajner i madh. Sarri kishte stilin e tij të lojës, mentalitetin e tij. Janë dy trajnerë që aplikojnë një lojë ndryshe nga njëri-tjetri”.

LARGIMI I PËRFOLUR  – “Jo, kam qenë me pushime dhe pastaj kisha klauzolë largimi 50 milionë euro. Tani jam këtu, për të dhënë më të mirën time. Te Napoli ndihem mirë, edhe familja ime është shumë mirë. Shpresoj të fitoj diçka me këtë skuadër.

RINOVIMI –  “Do të më pëlqente rinovimi, por kam edhe tre vite në kontratë ndaj duhet të presim se çfarë do të ndodhë”.

OBJEKTIVAT E SEZONIT – “Duam të fitojmë diçka, por nuk e kam fjalën vetëm për titullin. Duam gjithçka, të shohim në rrugë e sipër. Edhe Championsi nuk është keq (qesh). Shpresojmë të arrijmë sa më larg në Europë. Ançeloti ka fituar tre Champions, ka shumë eksperiencë dhe do të na mësojë shumë”.

RONALDO – “Ai është një lojtar i një niveli shumë të lartë. Më bëhet qejfi që ka ardhur në Itali, na stimulon edhe më shumë. Ta mbuloj është një sfidë që më pëlqen, por jemi një grup i madh dhe një lojtar i vetëm nuk bën grup. Duhet parë si do të përshtatet në Itali. Një lojtar i vetëm mund të bëjë diferencën në një ndeshje të caktuar, jo përgjatë gjithë kampionatit”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.