HISTORIKE: Legjenda vazhdon, LeBron kalon edhe më të madhin!

LeBron Xhejms ka kaluar të madhin Majkëll Xhordan në renditjen e shënuesve më të mirë në historinë e NBA-së, pasi mbërriti në kuotën e 32,293 pikëve në sfidën mes Denver Nuggets e Los Angeles Lakers mbrëmjen e së mërkurës.

Një arritje e jashtëzakonshme për LeBron, i cili është rritur duke pasur si idhull pikërisht legjendarin Xhordan. Që para ndeshjes LeBron shkruante në Tëitter: “Me zor po përmbaj emocionet. Do jetë e pabesueshme!!”.

Xhejms e nisi ndeshjen duke pasur nevojë për 13 pikë që të realizonte misionin, ndërsa tani ka vetëm 3 legjenda përpara në renditje: Karim Abdul-Xhabar (38,387 pikë), Karl Malone (36,928) dhe Kobi Brajant (33,643).

Sipas udhëzimeve nga NBA, Lakers pritën deri në ndaljen e ndeshjes për të nderuar Xhejms, i cili mori një duartrokitje të zjarrtë nga gjithë publiku.

LeBron, tashmë 34 vjeç, është ndër të fundit basketbollistë aktivë që e kanë parë me sytë e vet Majkëll Xhordan kur ishte në kulmin e vet te Çikago Bulls. Xhordan fitoi 6 tituj në 8 vite me Bulls në vitet ’90 dhe LeBron e ka thënë shpesh se Xhordan “është më i madhi në histori”.

Xhordan luajti 1072 ndeshje në karrierën e vet në NBA, me 30.1 pikë për ndeshje, mesatarisht. Xhejms, i cili e nisi karrierën në NBA në moshën 18-vjeçare (3 vjet më i ri se Xhordan), ka zhvilluar 1190 ndeshje deri tani, në 16 sezone, duke pasur një mesatare pikësh prej rreth 27 të tilla për ndeshje.

Megjithatë, Xhejms nuk ka qenë kurrë i fokusuar te shënimi i pikëve, sepse është një lojtar skuadre, organizon, mbron dhe jep asiste, pa fund. Vetëm para 8 ditësh LeBron u ngjit në vendin e dhjetë në renditjen historike për asite, duke u bërë basketbollisti i parë në historinë e NBA-së që është në top10 si në renditjen e pikëve, ashtu edhe atë të asisteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *