Hermes Shkulaku, goditja e radhës te Lushnja

Lushnja nis fazën përgatitore në Pogradec, por dhe afron një mesfushor cilësor. Menjëherë mbas mbërritjes në Pogradec, ekipi lushnjar ka “privatizuar” pogradecarin Hermes Shkulaku. Ai është produkt i shkollës së qytetit liqenor, teksa ka luajtur me Pogradecin për 5 sezone rresht. 24-vjeçari luan si mesfushor i krahut të majtë, por edhe si sulmues i fshehur. Në fakt Bano ka kohë që ka shprehur dëshirën për ta bërë pjesë të Lushnjes, mesfushorin pogradecar me tipare sulmuese. Mesa duket “kjo dashuri” ka vazhduar në heshtje gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që dje dyja palët kanë zyrtarizuar marrëveshjen me kontratë 1-vjeçare.

Shkulaku ka firmosur kontratën e marrë me vete nga Lushnja nga sekretari Zaka rreth orës 17:30 dhe menjëherë mbas firmosjes është rreshtuar nën urdhrat e Banos në seancën e tij të parë stërvitore me ekipin verdhjeshil. Pogradecari Shkulaku e çon në 6-të, numrin e afrimeve të deritanishme në kampin verdhjeshil. Përpara tij kanë firmosur sulmuesi lushnjar Brunild Pepa, portieri Ibrahim Bejte, fieraku Agim Meto, elbasanasi Orgest Gava si dhe beratasi Enea Bitri. Zyrtarët e Lushnjes thonë se tentativat për afrime të tjera nuk do të rreshtin deri në mbylljen e merkatos verore.

Skuadra në Pogradec zhvillohet stërvitja e parë
Ashtu siç ishte njoftuar, ekipi i Lushnjes është nisur paraditen e dje drejt Pogradecit për të vazhduar fazën përgatitore verore në qytetin liqenor. Sipas sekretarit të KF Lushnjes, Irakli Zaka, ekipi ka bërë nisjen drejt Pogradecit nga stadiumi “Roza Haxhiu” rreth orës 9 e 30 të paradites. Së bashku me futbollistët dhe stafin teknik verdhjeshil ka udhëtuar edhe vet sekretari Zaka, i cili do të qëndrojë pranë ekipit gjatë 14 ditëve të kësaj përgatitoreje pogradecare. Menjëherë mbas mbërritjes në Pogradec, zyrtari i verdhjeshilëve Irakli Zaka për “Sport Ekspres” është shprehur: “Menjëherë jemi sistemuar në restorant hotel Kalaja. Ky kompleks është nga më komodët në qytetin e Pogradecit kur ndër të tjera është i pajisur me një fushë stërvitje me përmasa të rregullta si dhe me minifusha tip kalçeto si dhe salla force.

Akomodimi në këtë kompleks stërvitor do t’i mundësojë stafit tonë teknik që të zhvillojë në mënyrë sa më profesionale atë program stërvitor që ka hedhur në letër. Gjithashtu me vete kemi marrë edhe 2 punëtorët tanë të fushave të cilët do të qëndrojnë këtu në shërbim të orëve stërvitore që do të zhvillojë ekipi për 2 javë. Me ekipin kanë udhëtuar plot 21 futbollistë, ku përveç lojtarëve që kanë firmosur me Lushnjen në listën time rezulton edhe Griseld Dervishi si dhe Melis Haxhiu. Nuk i është bashkangjitur ekipit mesfushori Erlind Korreshi, i cili vazhdon rikuperimin e gjurit pas dëmtimit që ka pësuar në miqësoren ndaj Leçes. Pasdite në orën 18:00 zhvilluam seancën e parë stërvitore në fushën e hotelit. Gjatë qëndrimit tonë në Pogradec do të shikojmë mundësinë e zhvillimit të disa takimeve miqësore”, ka përfunduar Zaka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *