Hamburgu humbet sërish, Frankfurti i tregon orën e re

Është luajtur java e parafundit në Bundesligën gjermane dhe ka pasur rezultate të befasishme, në krye e në fundin e tabelës.

Sytë ishin te gara për mbijetesë dhe tek Hamburgu, klubi i vetëm që ka luajtur gjithnjë në Bundesligë, që prej themelimit të saj.

Të rizgjuar në javët e fundit, veriorët duhej të fitonin në Frankfurt dhe të shpresonin te gabimet e rivalëve. U realizua gjysma e llogarive, sepse rivalët e Hamburgut, Volfsburgu e Frajburgu, u mundën, por nga ana tjetër vetë Hamburgu u shpartallua në Frankfurt 3-0.

Në këtë mënyrë, rënia është thuajse e sigurt, sepse tashmë Hamburgu duhet të fitojë ndeshjen e fundit dhe të lutet që Këlni i rënë të fitojë në Volfsburg.

Në fund, si ogur i zi, tifozeria e Frankfurtit i tregonte edhe një orë me shifrat 00.00.00 Hamburgut, duke i dhënë sinjal që ora që nuk ndalet kurrë në Hamburg dhe simbolizon kohën në Bundesligë, tashmë duhet të zerohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *