Halilaj: Në Kukës, për të surprizuar

Portieri vlonjat luan një sfidë të veçantë, por kërkon që në fund të gëzojë me skuadrën e Kamzës

Argent Halilaj ka një ndeshje speciale sot, pasi do të ketë përballë skuadrën e Kukësit, ku ka luajtur më parë dhe ka regjistruar suksese të rëndësishme në kampionat dhe në kupat  Europës, duke shkuar deri në “play-off”. Në një prononcim të dhënë për “Sport Ekspres”, vlonjate shprehet se është i kënaqur me atë që ka gjetur te Kamza.

“Mendoj se aventura imë këtu ka nisur mirë, pasi jam shumë i kënaqur me punën dhe merkaton që kanë bërë drejtuesit. Janë afruar lojtarë që kanë mbajtur peshë në ekipet ku kanë qenë më parë dhe shpresoj që të njëjtën gjë të bëjnë dhe te Kamza. Nuk duhen harruar dhe lojtarët që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për ta ngjitur Kamzën në elitën e futbollit shqiptar”, thotë fillimisht Halilaj, që më pas flet me nostalgji për atë që ka kaluar te Kukësi. “Kam luajtur tre sezone te Kukësi dhe mendoj se kam bërë maksimumin e mundshëm për këtë ekip. Normalisht që kam shumë nostalgji për ato sezone që kam kaluar në Kukës. Një ndeshje e veçantë për mua në këtë fillim kampionati”, shtoi portieri, që në lidhje me pritshmëritë për këtë sezon thotë: “E thashë dhe pak më lart që është bërë një punë shumë e mirë nga drejtuesit e ekipit për të bërë një ekip me lojtarë me eksperiencë në Superligën shqiptare dhe jo vetëm. Ndoshta drejtuesit mund të kenë një pritshmëri të madhe, po ajo që ne mund të garantojmë është se do japim maksimumin për këtë ekip. Kemi dy objektiva, një minimal dhe një maksimal: të sigurojmë mbijetesën dhe të arrijmë në Kupat e Europës. Shpresoj t’ia dalim për të arritur Kupat e Europës, se qëndrimin në Superligë nuk duhet ta diskutojmë. Kam shumë besim se do ia dalim. Surprizë në Kukës? Pse jo. E njohim shumë mirë ekipin e Kukësit dhe kemi ardhur për një rezultat pozitiv. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë, pasi luajmë me ekipin kampion, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi ardhur për të bërë një surprizë, që për Kamzën do ishte shumë surprizë e këndshme. Shpresoj ta bëjmë këtë surprize”, përfundon Halilaj deklaratën e tij. J.Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *