Luftëtari mes Teutës e merkatos, pret edhe Shkurtajn

0

Sulmuesi shtatlartë pritet të zyrtarizohet si pjesë e skuadrës gjirokastrite. Së bashku me Nunjez do formojnë dyshen e repartit ofensiv

Gëzim Beqiri

Luftëtari ende nuk e ka mbyllur merkaton, teksa pritet që pjesë e bluzinjve të zyrtarizohet një sulmues i njohur si Vasil Shkurtaj. 25-vjeçari e ka nisur sezonin me Arisin e Limasolit në Qipro, duke u aktivizuar në një ndeshje këtë sezon, ndërkohë që edhe vjet ishte pjesë e të njëjtit ekip, ku numëroi 18 ndeshje dhe katër gola të shënuar. Luftëtari e ka bindur sulmuesin të provojë një eksperiencë në Superiore dhe pritet që klubi të njoftojë zyrtarizimin e marrëveshjes me të. Aktualisht pjesë e Luftëtarit për sulmin është uruguaiani Fabricio Nunjez, ndërkohë që nga krahët e repartit ofensiv luajnë edhe Dejvi Bregu e Kristal Abazaj. Së fundmi është afruar edhe lezhjani Leonard Përgjini, që përllogaritet pjesë e lojtarëve që do të kontribuojnë për repartin ofensiv. Me ardhjen e Shkurtajt sulmi i Luftëtarit mund të konsiderohet i plotë.

KARRIERA – Shkurtaj e ka nisur karrierën në Greqi me Panioninis, për t’u huazuar në Ligën e parë te Thrasivolus dhe më pas në Portugali, ku ia bashkëngjit Vilaverdenses në ligën e tretë. Sezonin pasardhës, 2012-2013, Shkurtaj u transferua te Tondela po në Portugali, por një ligë më lart, për të provuar më pas një eksperiencë në Holandë me Rodën. Destinacioni i radhës për 25-vjeçarin ishte Greqia, por hapësirat për të nuk kanë qenë të mëdha, si tek Niko Volos, ashtu edhe te Asteras Tripolis dhe Ksanthi. Sezoni i fundi mund të konsiderohet më i miru për sulmuesin, pasi me Arisin e Limasolit luajti në 18 ndeshje, duke shënuar edhe katër gola.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.