Gatuzo do vazhdimësinë: Jemi në grup “Champions”-i

Fitorja me Sasuolon në kampionat ka rikthyer qetësinë në kampin e Milanit, por kalendari është i ngjeshur dhe kuqezinjtë do të përballen për Europa League nesër me grekët e Olimpiakosit në “San Siro”. Lojtarët kanë nisur të flasin për kthesë, por Xhenaro Gatuzo preferon një fjalë tjetër: vazhdimësinë.

Trajneri i Milanit vlerëson kundërshtarët e grupit, beson tek miksimi i stilit të Diego Simeones dhe Pep Guardiolës, ndërkohë që e mbyll me një koment për formën e Higuain dhe zërat e rikthimit të Ibrahimoviç te Milan.

EKIPI – “Kam dëgjuar futbollistët të flasin për kthesë, por fjala kyçe për mua është vazhdimësia. Duhet të përmirësohemi si kolektiv dhe duhet të gjejmë qëndrueshmërinë dhe mentalitetin e duhur, pavarësisht futbollit të bukur. Është e nevojshme të kemi aftësi për të treguar se nuk ndihemi në siklet, kur duhet të bëjmë gjëra të ndryshme, që ndoshta nuk na pëlqejnë.”

STILI I LOJËS – “Çolizmi dhe Guardiolizmi mund të ecin dorë për dore, mund të bashkëjetojnë në fazat e mbajtjes së topit dhe lojës pa top. Ne duhet të përmirësohemi, kur nuk kemi topin.”

OBJEKTIVI – “Duam të kalojmë turin dhe të mos mendojmë për më gjatë. Duhet të arrijmë në ndeshjet me eliminim në gjendje të freskët fizike dhe të kemi pak fat në short.”

GRUPI – “Ky është grup Champions-i. Ne, Olimpiakosi dhe Betis jemi tre skuadra, që nuk kanë asgjë për të patur zili, kundrejt atyre që luajnë në Champions.”

HIGUAIN-IBRA – “Gonzalo po stërvitet, por kam akoma disa dyshime për gjendjen e tij. Megjithatë, Higuain mund të luajë nesër. Nuk dua të komentoj për zërat e rikthimit të Ibrahimoviç. Unë flas vetëm për lojtarët e mi.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *