Fushtar-Mustafa, drejt zyrtarizimit

0

Mbrojtësi kroat dhe mesfushori nga Vushtrria me shumë gjasa do të jenë afrimet e radhës te Kamza

Vladimir Prenga

Kamza ka pushuar ditën e djeshme, ndërkohë që edhe sot futbollistët do ta kalojnë ditën pranë familjeve të tyre, për t’iu rikthyer përgatitjeve të hënën, kur edhe priten zhvillime të rëndësishme në merkato. Kështu, për mbrojtjen pritet zyrtarizimi i marrëveshjes me mbrojtësin Ivan Fushtar, kroatin që më parë në Superiore ka provuar të luajë me Flamurtarin, 27-vjeçari ndodhet në Shqipëri dhe marrëveshja është drejt konkretizimit. Lojtari ka bërë të ditura kërkesat e tij dhe tashmë mbetet që Kamza të vendosë për fatet e tij. Nesër priten të reja për mbrojtësin që luan në qendër dhe në krahun e djathtë dhe që në sezonin e fundit është aktivizuar te RNK Spliti. Më parë ai ka luajtur në Kroaci me Shibenik, Zadar, Dugopolje dhe Slaven Belupon, ekipin aktual të Pero Pejiç dhe Bruno Telushit.
MUSTAFA
Mesfushori nga Vushtrria, Argjend Mustafa, ishte në fushë për Kamzën ditën e premte në miqësoren me Ilirinë e Fushë-Krujës, ndërkohë që mes tij dhe klubit ka pasur bisedime për gjetjen e marrëveshjes. Parimisht palët kanë gjetur akordin dhe mbeten detaje të vogla për të shkuar te firma. Mesfushori që bën 25 vjeç në fund të këtij muaji, ka luajtur për pesë sezone në Superiore, teksa ka veshur fillimisht fanellën e Besës së Kavajës, aty ku edhe ra në sy më shumti. Më pas kaloi te Partizani, ku qëndroi për gjashtë muaj. Eksperienca e radhës ishte me Laçin, skuadër me të cilën fitoi Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, ndërkohë që verën e shkuar u largua prej bardhezinjve dhe firmosi me Tiranën, por për shkak të një dëmtimi as nuk debutoi me bardheblutë, çka bëri që ai të kthehet për gjashtë muaj në Kosovë te Vushtrria. Tashmë ai pritet të kthehet në Superiore sërish, duke veshur fanellën e Kamzës. Gjithsesi duhet pritur zyrtarizimi i marrëveshjes për t’u konsideruar gjithçka e mbyllur.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here