Dervishi: Çani sakrificë e Gaz Demit, kjo nuk është rruga e duhur

Ish-drejtori i Partizani ka komentuar lëvizjet e fundi të të kuqve, teksa konsideron të gabuar shpenzimet e tepërta. Këshilla e tij: Përqendrohuni te të rinjtë vendas

Vladimir Prenga

Partizani ende nuk i ka nisur përgatitjet, por drejtuesit e klubit gjatë kësaj periudhe kanë punuar dhe kanë mundur të bëjnë disa afrime, ku spikasin dy të fundit, Kristian Adorjan dhe Edgar Çani. Një analizë të këtyre lëvizjeve e ka bërë për “Sport Ekspes” ish-drejtori i të kuqve, Dritan Dervishi, që flet për ardhjen e teknikut Mark Julianos fillimisht, për të kaluar më pas te merkatoja dhe politikat e klubit të Partizanit dhe klubeve shqiptare në përgjithësi, që nuk bazohen tek elementët vendas, gjë që sipas Dervishit po e çon futbollin tonë në një rrugë pa krye.

-Z. Dervishi, pavarësisht se jetoni e punoni në Itali, një sy e keni edhe nga Partizani dhe futbolli shqiptar. Si i gjykoni lëvizjet e fundit që janë bërë në kampin e kuq, duke nisur fillimisht nga trajneri Juliano?
Unë në përgjithësi i ndjek të gjitha zhvillimet e futbollit tonë me interes, jo vetëm të Partizanit. Juliano është një lëvizje e bërë nga Luçiano Moxhi, është një bast që duhet shikuar në shumë aspekte. Mendoj që eksperienca i mungon , por ai ka grintën e duhur dhe ka një rast unik të tregojë vlerat e tij si trajner. Por, të mos harrojmë që trajneri është një hallkë e klubit, pa mbështetje dhe Murinjo dështon.
-Cila do të jetë vështirësia më e madhe që do të ndeshë ai në futbollin shqiptar?
Ai duhet të kuptojë mentalitetin e futbollit tonë dhe nuk duhet të nënvlerësojë asnjë faktor të kundërshtarëve. Po të mendojë që ai është më i miri, atëherë do të dështojë shumë shpejt.
-Besoj që lëvizja e fundit, pra transferimi i Çanit, ju ka dhënë një impakt pozitiv…
Çani është një sulmues që bën diferencën, por dhe ai duhet të sakrifikohet dhe punojë shumë për skuadrën. Edhe miku im Çani, po të vijë me mendjen që në Superiore është e lehtë, do të gabojë. Mos harroni që Partizani ka edhe Sukajn. Te dy ata janë “top” për Superioren. Goditja e Çanit është goditje që bën presidenti, jo stafi, pasi është sakrificë për familjen Demi.
-Gjatë kohës që ishit te Partizani e keni tentuar edhe ju këtë lëvizje. Pse nuk u kompletua?
E vërtetë nuk u realizua, pasi ai kishte kërkesa të larta për arkën e klubit dhe ishte në Serinë B. E përsëris, të sjellësh Çanin është e vështirë dhe prandaj janë goditje që quhen të presidentëve. Stafi sportiv duhet të sjell lojtar cilësor dhe me rroga normale, si për shembull Ramadani, Dajsinani, Fili e Atanda. Ato janë goditje që një staf duhet të bëjë, por të sjellësh lojtar që marrin sa gjysma e skuadrës çdo njeri e bën.
-Veç Çanit, kanë ardhur edhe disa lojtarë të tjerë nga Italia, Shahinas, Selvaxhio, La Kamera dhe Adorjan. Duke ditur të shkuarën e tyre, kane luajtur në Lega Pro dhe Seria B, sa mendoni se do e ndihmojnë këta futbollistë Partizanin?
I njoh këta lojtar dhe them se Adorjan dhe Shahinas janë goditje që me pëlqejnë, ndërsa të tjerët besoj se nuk duheshin në atë grup. Merkato duhet bërë për ta përmirësuar skuadrën dhe për të gjetur lojtarë të rinj për t’i shitur më vonë. Këtë mendoj unë se duhet të bëjnë skuadrat tona, jo të marrin lojtar që nuk kanë çfarë japin në Superiore, por vetëm marrin rroga të larta. Mos harrojmë se po futemi në një rrugë pa dalje dhe presidentët shumë shpejt do ta kuptojnë.
-Në gjykimin tuaj, pse klubet tona “vërsulen” drejt të huajve dhe nuk besojnë te të rinjtë vendas? Domzhale mori Hebajn, Osijeku kërkon disa nga lojtarët e Tiranës, ndërkohe qe edhe Verona ku ju punoni po vëzhgon në Shqipëri dhe pas disa ditësh i riu Lucaj do të testohet atje…
Gjykimi im është që në futbollin shqiptar nuk besojnë te djemtë e rinj, pasi presidentët duan rezultatin sot për sot. Kjo gjë po e çon në krizë futbollin shqiptar. Nuk ka mundësi që në futbollin tonë të marrin lojtarët nga 10-15 mijë euro në muaj, kur vetë jeta atje, vetë të ardhurat që vijnë nga futbolli janë shumë të ulëta. Nuk ka mundësi që të rinjtë tanë janë të kërkuar nga gjysma e Europës dhe ne vazhdojmë të marrim lojtarë nga Afrika, nga Brazili, madje lojtarë jo cilësorë, por që paguhen 4-5 mijë euro minimalisht. Te Tirana është një konfuzion total mendoj unë. Ata kanë sektorin më të mirë të të rinjve, por edhe këtë vit, siç po shikoj unë, do të vazhdohet me të njëjtat gabime. Në klubin e Veronës dhe, personalisht unë, marr sinjalizime për të gjithë djemtë e rinj. Këtu te “Primavera” kam Hoxhën dhe Kumbullën që kanë nënshkruar kontrata profesioniste. Janë edhe dy djem të rinj që ende nuk kemi firmosur me ta, por do të ndodhë këto ditë dhe do ua zbulojmë edhe emrat. Pas disa ditësh vjen edhe Lucaj, mbrojtës i djathtë i Internacionalit, i cili për mua është një nga lojtarët me më perspektivë në atë rol. Fillimisht do të provohet dhe më pas në një moment të dytë do të shohim nëse do të nënshkruajmë një kontratë me të dhe familjen e tij. Mendoj që në Shqipëri duhet të shikojnë nga tregu vendas. Presidentët duhet ta kuptojnë që me këtë rrugë që kanë nisur do të përfundojnë drejt falimentimit. Shikoni Skënderbeun çfarë bën, vetëm me planifikime, vetëm me një merkato që nuk ndryshon shumë nga viti në vit, duke marrë maksimumi tre lojtarë, po bën një histori në futbollin tonë. Partizani po gabon dhe koha do e tregojë.
-Duke sjellë lojtarë të tillë të huaj, mos Partizani bën “autogol”, pasi penalizon lojtarë si Fili e Bardhi, apo edhe të tjerë nga moshat?
Fili dhe Bardhi duhet të jenë titullarë. Partizani nuk shikon nga talentet vendas dhe kur i ka i humb, kujtojmë Dajsinanin. Po nuk i patën në plan le t’ua japin në huazim skuadrave të tjera.
-Moxhi ka deklaruar se moshat janë prioritet. A mendoni se do ndryshoje diçka?
Moxhi nuk do shikojë nga moshat. Shiko merkaton dhe do ta kuptoni. Ai do kërkojë të fitojë kampionatin, por me sa shoh do jetë i shtrenjtë. Kur të ndërtohet qendra sportive, atëherë po.
-Së fundmi, si mik i presidentit Demi, keni ndonjë këshillë për të?
Do t’i thosha që të shikojë nga kampionati shqiptar, ku janë djemtë më të talentuar, por kjo punë nis që tani, për t’i marrë për sezonin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online