Flamurtari mendon për Cuculin, Alvesh shumë pranë rikthimit

Drejtuesit e klubit vlonjat duan të marrin mbrojtësin me përvojë, Ardian Cuculin, i larguar tashmë nga Shkëndija, por duhet të lëvizin shpejt për të fituar konkurrencën

Elton Nika

Ishte një dëshirë e ish-trajnerit Shpëtim Duros verën e kaluar, por në fund nuk u arrit një akord për ta sjellë Ardian Cuculin në Vlorë. Këtë vetë kthehet sërish në vëmendje ky emër te Flamurtari, pasi mbrojtësi i krahut të majtë, që luan edhe në qendër, ka mbyllur aventurën me Shkëndijën e Tetovës dhe është lojtar i lirë.

Në këtë situatë, drejtuesit e klubit vlonjat kanë filluar interesimin për Cuculin, por për momentin është vetëm një dëshirë. Ndoshta për lojtarin shqiptaro-maqedonas mund të ketë edhe shumë oferta të tjera, që mund të pengojnë kalimin e tij te Flamurtari, por vlonjatët shpresojnë që të afrojnë këtë lojtar me shumë përvojë në ekip. Ai e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar, pas aktivizimit me Partizanin disa sezone më parë, dhe ky patjetër që është një avantazh. Tani që është bërë edhe zgjedhja e trajnerit, do të ketë lëvizje konkrete për Cuculin dhe jo vetëm. Po, nëse vlonjatët e kanë seriozisht, ata duhet të shpejtojnë për të fituar konkurrencën me skuadra të kampionatit maqedonas.

Më parë ka pasur një ofertë zyrtare nga klubi kuqezi për mbrojtësin me përvojë, por nuk mund të lëvizte pikërisht për shkak të kontratës me Shkëndijën. Tani nuk ka më asnjë pengesë të kësaj natyre dhe vlonjatët mund ta veshin kuqezi sezonin e ardhshëm.  

ALVESH – Danilo Alvesh e ka thënë që në momentin e largimit se do të kthehet në Vlorë. Braziliani e dëshiron diçka të tillë dhe shpesh nuk ka nguruar ta bëjë publike këtë gjë me postimet e tij në rrjetet sociale. Përpara se të linte Vlorën dhe të shkonte për pushime në vendin e tij, sulmuesi konfirmoi dëshirën e vazhdimit të bashkëpunimit, ndërkohë që drejtuesit e klubit pranuan se kanë një marrëveshje xhentëllmenësh me brazilianin. Bëhet fjalë për rinovimin e kontratës, që do të jetë dyvjeçare, por mungon firma dhe nuk mund të thuhet se sulmuesi është lojtar i Flamurtarit.

DAJA – Trajneri Ilir Daja është shprehur pro rikthimit të brazilianit në skuadër, por njëkohësisht ai ka kërkuar garanci nga drejtuesit e Flamurtarit edhe për disa afrime lojtarësh  cilësorë. Sulmuesi Danilo Alvesh është një nga këta emra dhe mbetet të shihet si do të veprohet me këtë lojtar. Ndoshta në fillim të muajit korrik braziliani do të jetë në Vlorë për të mbyllur gjithçka. Ai ka theksuar gjithmonë se në Shqipëri do të luajë vetëm për Flamurtarin. Dëshira e lojtarit është, klubi dhe trajneri e duan, kështu që mbetet vetëm konfirmimi zyrtar dhe “e zeza mbi të bardhë”. Danilo Alvesh pritet të jetë lojtari i katërt që rikonfirmohet nga skuadra e sezonit të kaluar, pas Useinit, Mustës dhe kapitenit Bushiç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *