Fizioterapisti që kuron Superioren, Kapaj: Futbolli dhe rëndësia e mjekësisë!

0

Në futboll pa diskutim që ata që të i njohin të gjithë janë sportistët dhe stafi teknik, kryesisht trajneri apo dhe ndihmësi i tij. Gjithsesi, në botën e sportit, po aq të rëndësishëm sa ata që i shohim në fushë ndeshje për ndeshje, janë edhe ata që qëndrojnë pas kuintave, apo nëse flasim në gjuhën e teatrit, ata që kanë “role dytësor”, po flasim ashtu siç shumica do i konsideronin.

Megjithatë, stafi mjekësor ka një rëndësi të veçantë, pasi është një prej elementëve më të rëndësishëm në shëndetin e “aktorëve kryesor”. Në një mënyrë a në një tjetër ata janë personazhet, të cilët futbollistët nuk do bënin dot pa to. Në vendin tonë shumëkush mund t’i konsiderojë si ata që merren me masazhe apo asistojnë lojtarët kur kanë nevojë që të freskohen, por rëndësia e tyre është shumë herë më e madhe.

“SportEkspres.com” ka menduar që të bëjë një prezantim më të gjerë në lidhje me botën e mjekësisë sportive, duke intervistuar një prej fizioterapistëve, i cili e njeh në “themel” sportin në vendin tonë. Ervin Kapaj është fizioterapisti, të cilin do e keni hasur me doemos në ndonjë foto të futbolistëve të skuadrës tuaj, gjithnjë nëse jeni dashamirës së futbollit vendas. Kapaj, në të shkuarën ka qenë pjesë e disa klubeve në vendin tonë dhe aktualisht është pjesë e ekipit mjekësor të Kombëtare shqiptar, por angazhohet edhe në skuadrat e volejbollit dhe basketbollit. Me pak fjalë, është personi i duhur që mund ta bëjë sa më të thjeshtë lidhjen e mjekësisë dhe sportit në tërësi.

Në klinikën e tij “Milano Medical Center” nëse bën një vizitë të shkurtër mund të rastisësh sportistë nga shumë ekipe. Në rrëfimin e  tij, Ervini tregon për rëndësinë që ka fizioterapia në futboll, por dhe për eksperiencat e tij personale, me synimin që të përçojë rëndësinë që ka mjekësia në sport. Në intervistën e mposhte nuk mundojnë dhe emrat e përveçëm, sportistë nga shumë skuadra të ndyshme të Superiores apo dhe të Kombëtares.

INTERVISTOI : JURGEN ZELA

Fizoterapia dhe futbolli, sa të lidhura janë këto dy gjëra me njëra-tjetrën?
Për ekipet moderne, stafi mjekësor është baza. Nuk është si në Shqipëri, pasi këtu është e kundërta. Këtu mjafton që të kenë një trajner të mirë dhe një përgatitës atletik, por është fizioterapisti ai që zgjidh probleme. Është ajo pjesa e padukshme që bën një punë dhe nuk vlerësohet asnjëherë, pasi qëndron në hije. Stafi mjekësor merret me dëmtimet, me fazën përgatitore, pasi ndihmon që të evitohen dëmtimet. Një fizoterapist i mirë bën dhe evitimin e dëmtimeve, nuk vepron vetëm kur një lojtar është i dëmtuar. Fizoterapia dhe futbolli janë dy gjëra që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe nuk mund të bëjnë pa njëra-tjetrën.

Sa do ishte numri i një stafi ideal mjekësor për një klub në vendin tonë?
Nëse flasim për stafe duhet t’i diferencojmë pak. Nuk mund të marrim dikë që nga bankat e shkollës dhe ta fusim në një ekip futbolli. Vetëm në vendin tonë ndodh kjo. Është një përgjegjësi e madhe, pasi ke të bësh me një grup njerëzisht. Duhet të dish t’u japësh ndihmën e shpejtë dhe fizioterapisti në vendet moderne si në Angli jep dhe ndihmën e shpejtë. Këto ekipe duhet të investojnë në njerëz që janë të formuar. Edhe unë nëse do të isha në hapat e para, nuk do të shkoja në një skuadër futbolli, sepse është diçka që nuk e përballon dot. Duhet një njeri i formuar dhe zakonisht ekipet kanë 7 persona në staf. Kanë fizoterapistë, masazhatorë, kanë dhe një mjek që është kryesori, mjeku sportiv. Mund të jenë tre fizioterapistë dhe tre masazhatorë që ndërthuren së bashku që të arrijnë rezultatin. Nuk jemi në këto nivele në Shqipëri, por të mos ketë dy fizioterapistë dhe një masazhator apo mjek. Gjëja e parë është cilësia e stafit, pasi dikush paguan një lojtar me rroga të mëdha, ndërsa një fizioterapist e paguan me një shumë qesharake, për të mos thënë ndonjë shifër që do duket qesharake. Atëherë nuk duhet të presësh shumë prej tij, pasi pas një jave ai nuk të vjen më, do largohet. Më pas lojtarët dëmtohen për periudha të gjata, vetëm se nuk e bën diçka siç duhet.

Kjo tregon se në Shqipëri nuk e njohin rëndësinë që ka ekipi mjekësor në një skuadër futbolli?
Po, është kështu realiteti. Nuk e vlerësojnë fare stafin mjekësor. U duket sikur është dikush që duhet të jetë aty dhe duhet të çojë ujin. Nuk e di se ai mban lojtarin në këmbë. Ky është realiteti që nuk e vlerësojnë fare. Realiteti është i hidhur pasi e konsiderojnë si bisht. E kam pasur dhe fatin që të punoj vetë me ekipet e futbollit, pasi është një eksperiencë që më pëlqen. Këtu nuk ka vlerësim si duhet. Nga skuadra e Skënderbeut kam pasur respekt si duhet nga drejtuesit dhe e dinin punën që bëja.

Ishin rrethanat e sipërpërmendura ato që ju shtyn që të tërhiqeshit nga angazhimi me klube futbolli dhe të hapnit një klinikë tuajën?
Unë kam investuar gjithë jetën time në këtë fushë, pasi kam 14 vite që jam fizioterapist. Kam investuar në formim dhe në teknologji. Kur shkon në disa ambiente dhe lënë për të dëshiruar, ku ka mungesë respekti, ku sheh njerëz që nuk janë profesionistë, sado që duron ka një limit, njeriu ka një dinjitet dhe nuk ja vlen që të vazhdosh të bashkëpunosh dhe të punosh. Nuk është nga lojtarët, pasi nëse i ndihmon në një rast dhe u zgjidh një problem e fiton respektin e tyre ata të kanë si të shenjtë, pasi kanë një vend ku të kurohen. Duhet të jenë njerëz që të marrin vesh në radhët e drejtuesve e jo të funksionojë të marrim këtë se është miku i këtij.

Ju kemi parë dhe me Kombëtaren këto kohë, mund të thuhet se është një tregues se keni pasur një karrierë në rritje?
Ka qenë një nga kënaqësitë më të mëdha, sepse nuk kisha njohje, nuk isha as djali i babit, që të shkoja në një vend e të trokisja e të thosha jam filani. Duke punuar, falë lojtarëve dhe përshtypjeve të mira që ata kishin shprehur për mua, si pasojë e rezultateve që kishin marrë erdhi dhe kjo gjë. Fjala e mirë kishte shkuar te presidenti i Federatës, Z. Armando Duka dhe u habita kur ai erdhi vetë në zyrat e mia, për të më takuar. Nuk e me mendoja që një president Federate aq i suksesshëm të më kontaktonte personalisht. Ishte një nga kënaqësitë  më të mëdha për sa kohë jam në Shqipëri. Arritja në Kombëtare më dukej një kënaqësi shumë e madhe, pasi njeriu ndihet mirë jo vetëm kur merr vlera monetare, por dhe kur merr vlera profesionale.

Të ndalemi pak te eksperienca juaj te skuadrat e Flamurtarit dhe Skënderbeut…
Kur shkova te Flamurtari sapo isha rikthyer nga Italia dhe nuk isha mësuar me realitetin shqiptar. Nuk e dija se këtu nuk të lënë të punosh i qetë. Duke punuar me disa lojtarë aty, siç janë Hair Zeqiri apo Abilaliaj apo dhe të rinjtë e Flamurtarit, drejtuesit dëgjuan për mua dhe më ftuan që të bëhesha pjesë e skuadrës. Ishte kënaqësi për mua, pasi bëra dhe një kontratë që ishte e majme. U dedikova me shumë pasion. Gjërat shkuan mirë me trajnerin Ramela dhe Gjoka dhe kemi raporte edhe sot. Për të tjerat, drejtuesit nuk janë në lartësinë e duhur për të gjykuar punën që bëhet. Në të tilla kushte nuk mund të bashkëpunosh, pasi duhet dhe vlerësimi si njeri.

Jeni në një proces gjyqësor me Flamurtarin, sa i përket disa rrogave të prapambetura…
Është një punë që unë e kam bërë dhe nuk po them gjëra të pavërteta. Kam qenë gjithë kohës dhe kam sakrifikuan çdo kohë. Jam drejtuar dhe Gjykatës së Lartë, për të mos bërë polemike. Dua atë që më takon, asgjë tjetër. Nuk kam punë unë me lojtarët nëse nuk arrijnë rezultate, bëj punën time dhe kaq, nuk duhet harruar se jam stafi mjekësor.

Shohim shumë lojtarë nga Superiore që bashkohen aty tek klinika juaj, mund të themi se Superiorja “falet” te ju?
Ajo është pjesa më e bukur, pasi ndonjëherë me batuta ata ngacmojnë duke thënë që na e lër pushim këtë lojtar, apo mos e bëj gati këtë tjetrin për këtë ndeshje. Janë disa momente humori, që të dhurojnë kënaqësi. Është si të bëjmë koleksion të bluzave të të gjitha skuadrave këtu. Është situatë e bukur. Kam krijuar raporte miqësie me ta, pasi ndodh që me disa duhet të punojmë për kohë relativisht të gjatë. Mund të ndodhë që për një vit t’i kesh çdo muaj aty, në varësi të dëmtimit. Marr rastin e Musollit, të cilin më duhet ta kuroj disa muaj dhe ne krijojmë raport miqësie dhe respekti. Kur finalizohet me rikuperimin perfekt është kënaqësia më e madhe kur e sheh në fushë.

Mund të themi si ai me Muzakën?
Po, si ai. Kënaqësi e madhe ishte dhe ajo, kur e pash që u fut dhe shënoi. E takova dhe pas ndeshjes dhe folëm për këtë.

Mjekësia është në fushë disi e vështirë, a është e ndërlikuar të punosh me sportistë dhe t’u shpjegosh atyre situatat e dëmtimeve?
Është e kundërta, pasi me kalimin e viteve, futbollistët bëhen mjekë të vetvetes, sepse ata mësojnë aq shumë dhe kur flasin me një profesionist të fushës ata të lexojnë sa i aftë je t’i trajtosh apo jo. Ata mund të kenë parë pa fund fizioterapistë dhe që në kontaktin e parë e shohin se sa aftësi ke. Kur merr besimin e tyre kupton se ke arritur diçka. Mjekësia është në zhvillim çdo vit. Këtu njerëzit ndalojnë dhe nuk bëjnë azhornime. Ne mbetemi një vend i pazhvilluar.

Fakti që sportistët nuk kanë më frik të kurohen në vendin tonë është një tregues se po rritemi dhe në këtë drejtim?
Po vijnë breza, si unë dhe më poshtë dhe investojnë në teknologji e informim e japin rezultate shumë të mira. Ka dhe të tjerë që bëjnë shumë mirë. Në këtë mënyrë e ndihmojmë edhe fushën e mjekësisë dhe fizioterapisë. Edhe klubet kanë nisur tashmë të mësojnë për rëndësinë e stafeve mjekësore, duke parë sportistët e tyre rikuperohen në kohë rekord dhe japin rezultate.

Në botën e sportit keni pasur angazhime jo vetëm në futboll, por dhe në volejboll dhe basketboll, mund të na thoni sa ndryshon asistenca mjekësore në këto disiplina?
Në Vlorë kam dhënë ndihmë dhe në ekipet e basketbollit, më pas kam kaluar me ekipin Kombëtar të Volejbollit. Ka diçka, se dëmtimet janë në ndryshme në disiplinat e sportit. Në volejboll ke të bësh me shpatullën më shumë, në futboll ke të bësh me këmbën më shumë. Ajo që më tërheq më shumë është shpirti i garës. Kur je në lëvizje, ka emocione që nuk t’i jep asgjë tjetër, kur sheh një lojtar që t’i e ke rikuperuar. Unë mundohem që t’u jap të gjithë sportistëve ndihmën time.

Keni qenë dhe në një eksperiencë ndërkombëtare në mos gabohemi në Lozanë?
Një nga eksperiencat që mund të ndaj është me kompaninë  e “NIKE”-ut në Lozanë, ku u bë “Diamond League” ku ka sportistë nga e gjithë bota në shumë sporte. U zgjodha nga kompania që kjo kompani kishte zgjedhur për të mbuluar pjesën mjekësore. Kur arrita atje dhe dhashë asistencën time dhe solla rezultat mora kënaqësi, pasi nuk ishim aspak pas atyre që ishin nga Brazili, Anglia, Polonia.

Do na veçonit ndonjë rast të veçantë nga eksperienca juaj me ndonjë sportist në Shqipëri?
Kur njoha Devi Bregun, sapo isha kthyer nga Italia. Pash një djalë të vogël, me një këmbë të enjtur, që e kishte këmbën si daulle. Ishte i mërzitur, i trishtuar dhe ishte në një gjendje të rëndë psikologjike, pasi vinte pas një prove në Izrael, ku ishte dëmtuar. Një mjek i kishte thënë që duhej të rrinte gjashtë javë jashtë, por brenda jave ai u gëzua pa mas kur u rikuperua plotësisht, po ashtu dhe për mua. Për çdo dëmtim që ka ai vjen te mua. Po ashtu kam punuar dhe me lojtarë si Hamdi Salihi, por ka shumë.

Ka nga ata lojtarët që duan të nxitohen për t’u rikuperuar?
Sapo arrijnë ata të vënë në një presion, pasi duan që të rikuperohen sa më parë të jetë e mundur. Duan zgjidhjen e menjëherershëm. Edon Hasani për shembull do sa më parë të aktivizohet, nuk i jep shumë kohë organizmit. Kemi Hektor Idrizajn sa vjen do të luajë. Kur e sheh në fushë habitesh. Kishim Lilajn, që kishte një problem që vuante gjithnjë. Janë të shumtë lojtarët që vijnë dhe jam bërë si hajmalia e tyre që po nuk u thash unë ata nuk largohen.

Sa i përket fushave me tapet sintetik, sa të rrezikshme janë për lojtarët që të dëmtohen?
Në një skuadër përgatitësi atletit është shumë i rëndësishëm. Ndodh që në një ekip të ndodhin 5-6 tërheqje muskulore dhe kjo nuk është diçka normale. Është shumë e rëndësishme ngarkesa që jep përgatitësi atletik, pasi duhet punuar me ushtime të ndjeshmërisë. Fushat sintetike janë tmerri i lojtarëve, sepse ata nuk kanë amortizim. Mikrotraumat kalojnë në kavilje dhe më pas në gju, duke e çuar dëmtimin deri në mesin e lojtarit. Këto mikrotrauma grumbullohen dhe japin një traum të madhe. Futbollistët duhet të kenë kujdes te takat që veshin. Lojtarët i heqin shtresat e takave, çka është e gabuar, pasi duhet ta amortizojnë në momentin e goditjes. Nuk duhet t’i heqin këto shtresa. Lojtarët duhet të bëhen mjekë të vetes në radhë të parë, e jo të thonë se u kalon se kanë pak dhimbje. Marrim rastin e Rrocës, i cili nga një dëmtim i vogël, mungoi kaq shumë kohë. Ai kishte një dëmtim, por nuk ndalonte dhe sakrifikonte.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.