Financat kthehen në problem te Partizani

Partizani në sezonin e ri do të tregohet shumë më i kujdesshëm se në të shkuarën, sidomos nëse nuk luan në Europa League. Sezoni i fundit ishte një katastrofë totale: shpenzime kolosale, për lojtarë e për staf dhe këtu e kemi fjalën edhe për Moxhin e Preitin, që kanë pasur paga shumë të larta. Është sezoni më i shtrenjtë i epokës Demi dhe presidenti i Partizanit ka mbetur shumë i zhgënjyer, sepse shpesh në të shkuarën ka deklaruar se pret një trofe nga skuadra për gjithë sforcimet financiare të viteve të fundit.

Trofe nuk po duket gjëkundi, por pak nga pak ka degraduar edhe situata financiare, duke mos shitur asnjë futbollist, ndërkohë që janë humbur edhe të ardhurat nga biletat, sepse nëse deri para një viti Partizanin e ndiqnin mijëra tifozë në Tiranë, tani edhe t’i paguash shumë tifozë nuk i afrohen më “Selman Stërmasit”.

Sezoni i fundit do të krijojë probleme në buxhetin e sezonit të ardhshëm, sepse plani është për një ekip të ri e me pak shpenzime, gjithnjë në situatën aktuale. Nëse përjashtohet Skënderbeu, shumë gjëra do të ndryshojnë, sepse vijnë paratë e Europës dhe bie “mbreti”, duke bërë që gara për kreun të hapet totalisht dhe Partizani të ketë mundësi të ëndërrojë titullin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *