Finalja e Superkupës, Skënderbeu me mungesa

Skënderbeu e nis nesër sezonin e ri dhe luan për trofe. Përballë do ketë Laçin, skuadër që e mundi në finalen e Kupës së Shqipërisë me një penallti të kontestuar gjatë. Tanimë luhet për Superkupën dhe për të dyja skuadrat kanë ndryshuar shumë gjëra, duke nisur nga trajnerët.

Orges Shehi për sfidën e së dielës, që luhet prej orës 19:45, nuk do të ketë dy lojtarë për shkak dëmtimesh. Njëri është sulmuesi Ardit Hoxhaj, i cili ka pësuar një dëmtim dhe ende nuk është rikuperuar.

Tjetër lojtar me probleme është mesfushori Bakari Nimaga. Futbollisti nga Mali do qëndrojë jashtë fushave të blerta për 2-3 javë, duke humbur kështu edhe fillimin e kampionatit. Ndaj Partizanit të premten është e sigurt që mungon, ndërsa për më tej do jetë stafi mjekësor që do vlerësojë gjendjen e mesfushorit.

Pavarësisht këtyre mungesave, trajneri Shehi ka mjaftueshëm alternativa. Durrsaku po mendon për formacionin që do të hedhë në fushë dhe të gjithë në finalen e nesërme i kanë sytë nga Bregu, i cili pritet të jetë një nga liderët e korçarëve këtë sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *