Faruk Sejdini skanon Superioren: Arbitrat të kalojnë vetingun! Merkato? Tani gjen vetëm “kuaj të ngordhur”

Në fokusin e ish-trajnerit Faruk Sejdini, dy fazat e para të Kategorisë Superiore janë zhvilluar si një fotokopje e sezonit të kaluar. Për SportEkspres.com, Sejdini deklaron se nuk gjen një ekip që të dallojë në specifikën e lojës. Sipas tij, në strategjinë e lojës skuadrat janë treguar kaotike e pragmatiste.

Ndërkohë që për pjesën e dytë të sezonit në vazhdim, Sejdini deklaron se do të kemi një kampionat më të ashpër, ndërsa cilësia e lojës do të bjerë shumë. Duke qenë se fundi i këtij sezoni përkon me zgjedhjet lokale, nuk përjashtohet mundësia që ato të kenë ndikim edhe në përfundimet e tij në renditje.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Ka rreth 10 ditë që Superiorja ka mbyllur fazën e dytë, si do të ndikojë kjo ndërprerje te forma e futbollistëve?

-Natyrisht që është mbyllur kampionati, por unë nuk besoj se për futbollistët është mbyllur stërvitshmëria. Pas ndeshjeve të javës së 18-të shumë skuadra janë stërvitur dhe nëse këto ditë të festave futbollistët nuk janë stërvitur, për ta do të jetë një gjendje “vdekjeprurëse”.

Krahasuar me sezonin e kaluar, ku mendoni se ka ndryshuar Kategoria Superiore e sezonit 2018-2019?

-Në këtë sezon Partizani po zhvillon një garë të mirë, Kukësi ka vazhdimësi dhe Skënderbeu nuk ka motiv, pra skuadrat konkurruese kanë ndërruar vendet. Në fundin e renditjes katër skuadra janë në garë për mbijetesë, por Kastrioti e ka më të vështirë.

Bazuar në renditjen e dy fazave të para, si e përshkruani ecurinë e skuadrave që kanë bërë diferencën në të dy kahjet?

-Në këtë sezon, Partizani ka etje të madhe dhe nuk besoj se do ta lëshojë vendin e parë, edhe pse dy fazat e tjera do të jenë shumë të vështira. Teuta është skuadra më me stabilitet dhe aty pranë ka Kukësin. Flamurtari e Tirana duken si jashtë gare për synimet e tyre.

Përpos renditjes, ju e veçoni një skuadër që ka luajtur më mirë në dy fazat e para?

-Ndoshta është e çuditshme, por në këtë sezon të Superiores nuk gjen një ekip që të dallojë në specifikën e lojës. Sepse në strategjinë e lojës, skuadra janë treguar kaotike e pragmatiste. Madje këtu edhe Partizani që kryeson renditjen e dy fazave të para.

Po mungesa e tifozerisë në shkallët e stadiumeve, si ka ndikuar në ecurinë e garës?

-Mungesa e tifozerisë është dukuri edhe në kampionatet e tjera, por tek ne ka dy arsye. Sepse stadiumet tona të futbollit nuk u përgjigjen kërkesave të tifozëve që kërkojnë më shumë komoditet, por edhe dënimet që u janë bërë kanë qenë kolektive, jo individuale.

Kanë patur ndikim arbitrat me performancat e tyre në dy fazat e para të Kategorisë Superiore 2018-2019?

-Puna e arbitrave në futbollin shqiptar është rrotë më rrotë si sistemi gjyqësor. Mendoj se edhe për ta duhet një vetting, sepse nuk po i rezistojnë dot presionit dhe tundimeve nga të gjitha anët. Gabimet e tyre më shumë unë i quaj si të qëllimshme, dhe aspak njerëzore.

Pjesa e dytë e sezonit në vazhdim do të nisë me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, pse është bërë ky ndryshim?

-Mendoj se kështu është më mirë dhe kjo formë të ishte aplikuar më parë. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë në këtë periudhë bëhen edhe si një test për skuadrat, ose si një trampolinë ku mund të hidhen në provë përfircimet e reja.

Sa mundësi krijon merkato e janarit për ndonjë përforcim cilësor të skuadrave?

-Muaji janar është si një shpresë lirie për të burgosurit, sepse në merkaton e këtij muaji mund të gjesh vetëm “kuaj të ngordhur”. Është shumë e vështirë që në këtë periudhë të gjesh ndonjë lotar cilësor që të bëje diferencën e të garantojë synimet e skuadrave.

Çfarë mendoni se do të shohim në gjysmën e dytë të këtij sezoni?
-Në gjysmën e dytë do të kemi një kampionat më të ashpër, ndërsa cilësia e lojës do të bjerrë shumë. Duke qenë se fundi i këtij sezoni përkon me zgjedhjet lokale, nuk përjashtohet mundësia që ato të kenë ndikim edhe në përfundimet e tij në renditje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *