Erjon Tola i zhgënjyer nga Federata e Skive, por do të jetë në Lojërat Olimpike Dimërore

Erjon Tola, skiatori që së bashku me Suela Mëhillin do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike në Pjoengçang, të cilat zhvillohet më 9 deri më 25 shkurt, e ka pasur një moment në “ajër” garimin e tij. Përplasja me Federatën Shqiptare të Skive, që në fakt i detyrohet financiarisht trajnerit të Tolës, e ka bërë skiatorin që ta vërë një moment në pikëpyetje gabimin, por nuk bëhet fjalë për tërheqje. Ai sot do të niset drejt Koresë së Jugut nga Torino, por vetë ka bërë të ditur se nuk mund të bëjë më sportistin dhe trajnerin, ashtu sikurse ka qenë i vetëm në “Torino 2006”, “Vankuver 2010” dhe “Soçi 2014”. “Sport Ekspres” ka komunikuar edhe me të atin, Ferdinand Tola, i cili sqaron gjithçka…

Me kënaqësi të madhe po presim të përfaqësojmë Shqipërinë dhe sportin tonë në aktivitetin më të madh sportiv në arenën ndërkombëtare siç janë Lojërat Olimpike Dimërore në Pjoengçang. Katër vjet përgatitje, impenjime, shpenzime sa i përket këtij evenimenti. Në Tiranë vajtja jonë në Korenë e Jugut u kurorëzua, siç e kërkon riti, me dorëzimin e flamurit kombëtar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Natyrisht që përfaqësimi në nivele të tilla siç është Olimpiada kërkon angazhimin e një sërë faktorësh objektiv dhe subjektiv. Në rastin konkret Erjon Tola, skiatori që i hapi udhën sportit tonë të skive në vitin e largët tashmë, 2006, kur ai ishte vetëm 19 vjeç, sikurse dhe pjesëmarrës në “Vankuver 2010” dhe “Soçi 2014”, kërkon një tjetër trajtim. Pa harruar që ka mbi 330 gara të nivelit ndërkombëtar në Federatën Botërore të Skive duke numëruar pjesëmarrjen në tre kampionate botëror në Shladmin të Austrisë, Baver Krik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo dhe në Sent-Mortiz në Zvicër. Në të gjitha këto përfaqësime është e natyrshme që Erjoni ka qenë i shoqëruar nga trajneri i tij, Roberto Bonavita, natyrisht kundrejt nje pagese. Erjoni sot niset për në Korenë e Jugut pa trajner. Unë nuk e di dhe nuk mund ta imagjinoj një sportist në një Olimpiadë pa trajner dhe sidomos në sportin e vështirë të skive.

Vetëm një njeri i papërgjegjshëm dhe injorant në materien që flasim mund ta bëjë këtë gjë dhe ky njeri është presidenti në detyrë i Federatës Shqiptare të Skive, Shkëlqim Mema, që vegjeton në këtë Federatë prej 27 vitesh duke keqpërdorur postin e tij me inate personale kundrejt Erjonit dhe KOKSH-it, që këtë vit nuk e zgjodhi si pjesë të delegacionit tonë në Olimpiade. Fakti është që në zgjedhjet e kaluara të Federatës së Skive, ku ai me marifetet e veta u rizgjodh për të disatën herë (zgjedhje të anuluara nga gjykata), Erjoni e kundërshtoi zgjedhjen e tij. E ky person sot hakmerret duke mos paguar trajnerin e tij në Olimpiadë me justifikimin që Federata nuk ka fonde (kompetencë kjo e Federatës). Për rrjedhojë kush e njeh sportin e skive, skiatori nuk mund të garojë pa pjesëmarrjen e trajnerit. Në këtë mënyrë ky njeri i papërgjegjshëm dëmton direkt imazhin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe të sportit tonë në arenën ndërkombëtare. Më e rëndësishme për t’u theksuar është se me pjesëmarrjen e Erjonit në të gjitha keto gara, Kampionate Botërore dhe Lojëra Olimpike, Federatës Shqiptare të Skive gjithmonë në mënyrë të rregullt i kanë hyrë sasi të konsiderueshme frangash zvicerane. E këto kanë ardhur nga Federata Botërore e Skive. Para me të cilat Erjoni asnjëherë nuk është shpërblyer dhe ai sot thotë që Federata Shqiptare e Skive nuk ka fonde për trajnerin (po herët e tjera si i gjeti).

Unë personalisht nuk kuptoj as KOKSH-in, institucioni më i madh i sportit, sikurse dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që me siguri i ka dhënë Federatës fondet vjetore, se si mund të tolerojnë një veprim të tillë nga ky person. Ndërkohë dje u dha një lajm që Erjoni tërhiqet nga pjesëmarrja në Olimpiadë. E theksoj që Olimpiada për një sportist është arritja më e madhe sportive personale dhe një kënaqësi e papërshkruar që nuk mund ta refuzojë kurrë. Aq më shumë kur kualifikimi fitohet me djersë. Erjoni do të marrë pjesë dhe do ta prezantojë vendin tone si dhe herët e tjera. Erjoni në atë intervistë që ka dhënë ka deklaruar se është e vështirë të garosh pa trajner.

Skitë janë një sport specifik, ku pa trajnerin nuk mund të regjistrohesh për garën tënde, sidomos në një Olimpiadë. Për këtë gjë ky injorant në këtë sport, edhe pse mban postin e presidentit, po dëmton thellë marrëdhëniet e Erjonit me sportin shqiptar. Një Federatë pa sportistë nuk mund të ekzistojë, ndërsa ky person vazhdon me teorinë e tij që falë ekzistencës së Federatës je ti”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *