EKSKLUZIVE | Merret vendimi, Panuçi do të largohet

Kristian Panuçi e ka mbyllur me kombëtaren shqiptare dhe është në ditët e fundit në stolin e kombëtares kuqezi.

Trajneri italian ka qenë nën presion të madh në muajt e fundit, por presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka pritur fundin e Nations League për të bërë bilancin.

Pak a shumë ultimatumi u dha para pak ditësh, duhej fitore ndaj Skocisë, por nëse një barazim me lojë të mirë do të vlente gjithsesi, humbja e djeshme ishte një katastrofë në çdo drejtim.

Lojë inekzistente, skuadër e shthurur e pa ide, mbrojtje e shkërmoqur dhe ndryshime pa fund me formacionin dhe vendoset taktike, të gjitha rëndojnë mbi trajnerin.

Duka u bind përfundimisht pa mbaruar pjesa e parë se kishte marrë fund gjithçka, ndërsa ofendimet e tifozerisë kuqezi drejtuar Panuçit nuk i lënë alternativë tjetër presidentit të FSHF-së.

Panuçi do të jetë në drejtimin e Shqipërisë edhe pak ditë, sa për ta drejtuar provizorisht në ndeshjen kundër Uellsit (gjithnjë nëse nuk largohet vetë para ndeshjes, por kjo zor se ndodh) , ndërsa pas atij takimi do të zyrtarizohet mbyllja e raportit.

Arritja e marrëveshjes për anën financiare nuk eshtë e vështirë, duke parë ecurinë e dobët të kombëtares, pasi me siguri qëndrimi i Panuçit kushtëzohej nga një paraqitje e mirë në Nations League dhe në situatën aktuale zor se Panuçi mund të pretendojë të paguhet deri në fund të kontratës.

Thelbi mbetet që tashmë Duka duhet të gjejë trajner të ri dhe nuk do të jetë mision i lehtë: skuadra është shumë larg asaj të Europianit në cilësi dhe rinovimi nuk ka ecur mbarë.

Në kushtet aktuale ndoshta De Biazi do na ndihmonte, por Itali-shqiptari, edhe dje në stadium, zor se pranon të marrë një detyrë kaq të ndërlikuar, aq më shumë pa ditur ende shortin e kualifikueseve të Euro 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *