Duro: Muaj i tmerrshëm, ndërprerja do të na ndihmojë

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, nuk e fsheh dëshpërimin për krizën e Flamurtarit, që tashmë zbret në vendin e gjashtë dhe kundër Partizanit u mund për herë të parë këtë kampionat, edhe pse pati shanse të shkëlqyera sidomos në fund të pjesës së parë. Dëmtime pa fund, arbitrime, merkato që rezultoi e dobët, fat i keq, të gjitha ndikojnë sipas Duros që Flamurtari të jetë në krizë dhe tashmë pritet prilli, për të shpresuar te kthesa.

“E filluam jo mirë, Partizani na vuri në vështirësi. Gradualisht hymë në lojë dhe patëm 3-4 mundësi me Zukën, Hoxhajn apo Alvesh. Nëse do shënonim, ndeshja do kishte rrjedhë tjetër. Kjo ndeshje përcaktohej nga një episod. Partizani shënoi me një pakujdesi, veprim amatoresk. Nuk ishte një rast i pastër goli. Kjo gjë na vështirësoi punën. Ishte një ndeshje në një terren të vështirë, dhe do përcaktohej vetëm nga një episod. Sulmuesit nuk po shënojnë edhe për shkak të presionit të madh psikologjik, sepse rastet i krijuam.

Mungesat: “Këto 3-4 ndeshja u shoqëruan me mungesa dhe dëmtime, dhe nuk morëm as pikë. Këto gjëra ndikojnë psikologjikisht tek skuadra. Ka qenë një muaj i tmerrshëm, shpresojmë që në prill, tani që kemi ndeshjet vendimtare në kampionat dhe gjysmëfinalet e kupës.

Merkato e dështuar në janar? “Është folur për dështim në merkato, por nuk jam dakord, sepse Muarem dhe Tunkara kanë ardhur vonë: Muarem u dëmtua para se të rifillonte kampionati. Tunkara pësoi një tërheqje. Është fati ynë i keq. Tunkara erdhi me dëshirën e zotit Idrizi, me sugjerimin e Igli Tares”.

Idrizi thotë që duhet marrë përgjegjësia nga të gjithë: “Skuadra ka qenë solide në 2 fazat e para, nuk kemi pasur dëmtime. Në këto 4-5 ndeshjet e fundit, u mblodhën të gjitha gjërat bashkë, dhe futbolli është i tillë. Kemi një ngërç psikologjik. Nuk mund të gjej ndonjë faktor që t’i them për mosmarrje përgjegjësie, edhe pse ka pasur gabime në momente të veçanta.

Ardit Hoxhaj kërkoi një penallti në mesin e pjesës së parë: “Menjëherë mendova se ishte 11-metërsh. Hoxhaj po shkonte drejt portës, në ato raste mjafton një prekje sado e vogël që të prishet ekuilibri. Gjithsesi, ndaj e kam thënë që jam i dorëzuar me arbitrat, nuk flas më. Nëse do jepej penallti, do vështirësohej çdo gjë për Partizanin, por me ato që na kanë ndodhur këtë vit, kjo është vetëm si “akullore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *