Çmenduritë e merkatos, Bajerni i përgjigjet me një akademi 70 milionë euro

0

Klubi kampion në Gjermani, Bajerni i Mynihut ka përuruar dje qendrën e re stërvitore për ekipet e moshave nga mosha “U-9” deri në moshën “U-19”. Kjo qendër e re stërvitore, nën siglën “Bayern Campus”, ka kushtuar plot 70 milionë euro dhe i pranishëm në përurimin e tij ka qenë presidenti Uli Hënes, i cili ka theksuar se kjo është përgjigja më e mirë e Bajernit për çmenduritë që po ndodhin në merkato. Duke folur në momentin e prerjes së shiritit presidenti Hënes ka thënë: “Jam i mrekulluar, ne si klub po ndërtojmë të ardhmen dhe po u japim një përgjigje zhvillimeve më të fundit në futbollin ndërkombëtar të dominuar nga transferime të çmendura të lojtarëve dhe rroga marramendëse.”

Shtëpia e talenteve” – Kampusi i ri stërvitor i Bajernit të Mynihut është një nga më modernët dhe është ndërtuar në një sipërfaqe prej 30 hektarësh. Në të përfshihen një stadium i vogël me 2500 vende dhe 7 fusha të tjera futbolli. Në këtë kampus përfshihen dhe një qendër fituesi, zyra, mensë dhe hotel për 35 talente. Kampusi i ri i Bajernit pritet të jetë shtëpia e ekipeve të moshave “U-9” deri në moshën “U-19”.

Pasuesi i Alabas… – Për ndërtimin e këtij kampusi janë dashur dy vjet, ndërkohë që prej vitesh në klubin bavarez është hedhur ideja e ngritjes së një akademie e denjë të furnizojë ekipin e parë. Kjo ka qenë një ide e hershme e presidentit Hënes që dje është vënë në praktikë. Lojtari i fundit i Bajernit të Mynihut i dalë nga ekipet zinxhir ka qenë David Alaba, teksa para tij prodhim “made in Bayern” kanë qenë dhe Filip Lahm, Bastian Shvajnshtajger, Tomas Myler dhe Mats Humels.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here