Bylisi, akord me Stavri Nicën

Bylisi duket se nuk dorëzohet dhe nuk ka ndërmend që të hapë rrugë vetëm për të realizuar synimin madhor që ka këtë sezon për t’u rikthyer në elitë. Presidenti i skuadrës ballshiote, Besnik Kapllanaj dy ditët e fundit ka qenë në lëvizje vetëm e vetëm për të afruar një emër të njohur. Nga sa bëhet e ditur, Kapllanaj ka qenë në negociata me trajnerë të njohur, nga tregu vendas dhe ai i huaj, por duket se ka bërë edhe zgjedhjen e duhur. Stavri Nica, dhe Kapllanaj kanë biseduar gjerë e gjatë dje dhe kanë rënë parimisht dakord. Nica, të shtunën do të jetë në Ballsh kur do të ndjekë edhe skuadrën nga afër në miqësoren që do të zhvillojë me skuadrën e Flamurtarit në “Adush Muça”. Stavri Nica është një njohës i mirë i futbollit shqiptar dhe ka eksperiencë, madje punon shumë mirë edhe me të rinjtë. Ndaj, Bylisi dhe Kapllanaj ja kanë besuar projektin durrsakut të mirënjohur. Ballshiotët duket se kanë hequr dorë për momentin nga trajnerët e rinj dhe kanë vendosur që të bashkëpunojnë me Stavri Nicën, i cili këtë sezon e ka nisur si pjesë e skuadrës së Laçit në Superiore. Stavri Nica, ka drejtuar më parë edhe Teutën e Durrësit dhe Erzenin e Shijakut apo dhe Besëlidhja e Mamurrasi.

TË TJERËT – Bylisi dhe presidenti Kapllanaj deri dje kanë qenë në kontakte edhe me trajnerë të tjerë dhe bëhet fjalë për dy shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Fjala është për Nebi Mustafin dhe Nebih Zenelin. I pari ka qenë edhe pjesë e skuadrës së Shkëndisë së Tetovës, ndërsa i dyti drejton me sukses në Slloveni. Por, duket se Kapllanaj ka gjetur akordin me Nicën duke qenë se është një trajner që e njeh mirë futbollin shqiptar dhe punon shumë mirë me të rinjtë.

Erjon Saliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *