Bregu: Kualifikohem me Luftëtarin dhe iki jashtë Shqipërisë

Dejvi Bregu është rikthyer, Gjirokastra mbetet shtëpia e tij, por vetëm për pak kohë, më saktë për aventurën evropiane të Luftëtarit.

U ble nga Skënderbeu për të luajtur në Champions, por planet kanë ndryshuar totalisht dhe tashmë vlonjati rrugën drejt Europës do ta shtrojë duke luajtur aty me Luftëtarin e tij.

“Kam bërë vetëm disa ditë pushime më shumë se ekipi. Është ndjesi e njëjtë sepse jam në shtëpinë time. Europa është vitrina më e mirë për mua, që më pas të realizoj ëndrrën të luaj në një skuadër jashtë vendit”, deklaron Bregu për Supersport, i cili tregon ndjesitë e të kthyerit në Gjirokastër.

Prej momentit kur hyra në derën e stadiumit më pritën me duartrokitje. I kishte marrë malli si duket. Nëse nuk do të luaja në Europë do të isha shitur diku, por kështu shfrytëzoj vitrinën dhe ndihmoj ekipin. Kombëtarja mbetet një ëndërr me mua, që do ta realizoj me punë”.

Letonezët e Ventspils në horizont: “Kundërshtari mund të duket i lehtë në letër, por ashtu mund të na shohin edhe ata ne. Gjithsesi duhet të përgatitemi maksimalisht që të arrijmë ndeshjen me Bordonë. Asgjë nuk është e paarritshme. Ky grup ka bërë gjëra të mrekullueshme dhe pse jo të bëjë gjëra të jashtëzakonshme në Europa league siç është kalimi i turit”.

Nuk është më Abazaj: “Kemi më shumë përgjegjësi sepse njerëzit na kanë parë të tre bashkë. Kemi qenë familje si në fushë ashtu edhe jashtë. Jam krenar që kam qenë pjesë e këtij grupi në dy vjet e gjysmë. Premtoj maksimumin siç kam dhënë deri më tani, e ndoshta edhe më tepër sepse pjesëmarrja në Europë është diçka speciale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *