Bizhdili: Besa e re nis nga …nesër

0

Sinella nuk është më trajner në Kavajë. Presidenti ka deklaruar se të enjten do të zgjidhet trajneri i ri dhe pjesëtarët e tjerë të stafit teknik. Menjëherë pas kësaj nis merkato

Fatmir Efica

Ora e ndryshimeve të mëdha te Besa po afron. Ka qenë presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili që ka deklaruar dje posaçërisht për “Sport Ekspres” se nesër (ditën e enjte, më 21 qershor 2018 do të “zbardhet” një pjesë e projektit të ri të sezonit 2017-2018). “Do të fillojmë pikësëpari, me zgjedhjen e trajnerit të ri dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit teknik. Dua të falënderoj Bledar Sinellën, që në sezonin e fundit që ka drejtuar Besën është përpjekur të japë gjithçka për ekipin kavajas. Ndonëse duhet thënë se ka qenë një sezon i nisur, vazhduar e mbyllur me probleme nga më të ndryshmet, ku trajneri Sinella si me organikën e futbollistëve ashtu dhe me idenë e harmonizimit e marrjes së rezultateve të duhura që nuk erdhën, nuk e ka pasur aspak të lehtë. Kjo ngaqë pati shumë lojtarë të ardhur rishtas duke u ndërlikuar jo pak çështje në lidhje me kontributet e çdo njërit prej tyre. Madje, disa kanë qenë me nivel nën mesatar dhe kjo ndikoi në rezultatet jo të mira që pati Besa që e mbylli sezonin e fundit në vendin e tetë duke luajtur në pesëshen e dytë, pavarësisht faktit se kishim të tjera pritshmëri që nuk u përmbushën”, – tha presidenti i skuadrës kavajase, Nexhat Bizhdili.

PROJEKTI – “Trajneri i ri që do të zgjidhet të enjten do të jetë pjesë e projektit tonë madhor për të rikthyer Besën në fund të sezonit të ardhshëm në Kategorinë Superiore. Ajo që mund të pohoj me siguri është se ekipit nuk do t’i mungojë asgjë në lidhje me këtë objektiv madhor. Jemi të dënuar ta realizojmë këtë premtim para sportdashësve kavajas, pasi asnjëherë në historinë e traditat e mëdha 93-vjeçare të ekipit kavajas nuk ka ndodhur që Besa të luajë pesë sezone radhazi në Kategorinë e Parë. Synimet tona janë të qarta. Drejtuesit e ri të ekipit do të kenë tërë kohën e duhur për të riorganizuar riformatimin e ekipit. “Operacioni” i afrim – largimeve do të nisë ndoshta që nga kjo fundjavë dhe nga Besa nuk do të ketë më asnjë vend e hapësirë për lojtarë që praninë në skuadër e kërkojnë vetëm sa për të marrë një rrogë pa dhënë asnjë kontribut në ekip. Përkundrazi, nga këto “tipa” do të hiqet dorë njëherë e përgjithmonë”, – u shpreh dje Bizhdili.  

PANKINA – “Janë disa emra kandidatësh për trajnerë te Besa, Finalizimin e emërimit të trajnerit të ri e kemi lënë për këtë të enjte. Kemi kryer takime konfidenciale gjatë ditëve të fundit me secilin prej tyre. Kjo mënyrë u zgjodh për të mësuar pikërisht atë angazhim konkret të çdonjërit prej kandidatëve dhe respektuar edhe idetë që mbizotërojnë paraprakisht prej tyre për ndërtimin e një skuadre shumë të fortë që të jetë pretendente e padiskutueshme për ta ngjitur dhe rikthyer Besën në Superiore. Duke i dëgjuar me vëmendje të gjithë kandidatët, na mundësohet respekti maksimal për të pasur në krye të Besës një trajner që me seriozitet, disiplinë, prefesionalizëm e përgjegjësi të përmbushë misionin për riorganizimin e shpejtë të punëve të rëndësishme që na presin dhe ndërtimin një Bese sa më kompetitive”, – përfundoi Bizhdili.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.