Birra, birra dhe… vetëm birra! Çuna po vijnë “Guerrilsat”…

0

Eraldo Harlicaj 

“Shoferi do raki që të ecë me shpejtësi”, – ishte kori i një ekskursioni të thjeshtë diku nga klasa e 7-8. Kur të gjithë mendojnë se diçka janë. Në fakt, në memorien e gjithsecilit mbesin copëza kujtimesh të atyre rrugëve, madje ndonjëri ka zbuluar dhe dashurinë për udhëtimet dhe kilometrat e panumërta në ato vite.

Nëse dikush do t’i përmendë “Guerrilsave” për nostalgji ndonjë nga këto udhëtime, do të të shohë çuditshëm dhe të ofron dy opsione: A do të më dëgjosh me vëmendje, apo nuk do të më mërzisësh? Nga turpi, çdokush mund të zgjedhësh alternativën e parë. Historia vazhdon rreth një grumbulli me njerëz dhe me birra përpara të hapura.

“Ne nuk kemi bërë ekskursione, or shok. Kur të tjerët shkonin në Llogara, këto eshtra kanë qenë në Gramsh, Tepelenë e në çdo fshat të Shqipërisë.  ‘Dhe në Këlcyrë’ – shton dikush tjetër – “Po, po, se harrova Këlcyrën. Prandaj mos më trego mua ekskursionet ti, po pi birrë aty, pi të thashë!”.

Fjalën mund ta marrë dikush tjetër, ndërsa nga cepi tjetër i autobusit mund të dëgjohet një e bërtitur e madhe. “O shofer, a do ecësh o vlla, se na plake?”. E vëmendje mund të kthehet sërish te grupi i tregimit. “Pastaj nuk munguan ‘ekskursionet tona’ në Korçë, kur ziheshim me policinë, Vlorë, Durrës, Shkodër e Laç. E shëtitëm Shqipërinë, po pi birrë! Hapeni dhe nga një! Pastaj ishte perla, udhëtimi në Hungari. Sa birrën e kemi pirë atje. U kualifikuam në mes të Hungarisë, Albani ishte për lapidar. Udhëtimet jashtë vendit janë më të bukurit.

Vjet u nisëm për Bullgari. Na ndali policia në kufi, ndërhyri ambasada shqiptare atje, na kthyen, vl, nuk ikëm. Megjithatë, ishte supereksperiencë, por pi birrë, pi aty! Tani siç e sheh, erdhëm në Slloveni. Do të këndojmë dhe bërtasim. Po shkojmë drejt stadiumit, prandaj mos na trego ekskursionet ne, jemi për transferta ne”, – dhe mund të të vijë një e goditur e lehtë në faqe e një grusht në shpatull.

E në fund, kur të gjithë mund të jenë duke bërë prova me zërin dhe përgatisin materialet për stadium mund t’u bësh një pyetje naive: “Pse pini kaq shumë birra ju?”. Me siguri, 200 vështrime do të të shohin njëherësh, do qeshin me vete e do të ofrojnë një birrë. “Pi birrë, pi, se e dimë si luan ekipi, por duhet të këndojmë deri në minutën e fundit”… Hajde gëzuar me Guerrilsat!

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.