Barcelonë pa shkëlqim, i mjafton një autogol

Katalanasit mezi fitojnë në Lisbonë ndaj Sportingut, teksa luzitanët i  mohojnë Leo Mesit rekordin  e 100 golave në Evropë

Barcelona bën detyrën, edhe pse jo me shkëlqimin e duhur, në ndeshjen e transfertës së vështirë të Lisbonës. Katalanasit mundin Sportingun në fushën e tij me rezultatin minimal, 1-0. Bashkëpunëtor për këtë është edhe lojtari i  luzitanëve, Koates, i  cili, në të 49’, në tentativë për të shmangur golin dhe për t’i hequr Luiz Suarezit mundësinë e rrugës së rrjetës, shënon një autogol. Një fitore që i  jep tre pikë të rëndësishme dhe të vuajtura Barçës. Një Barcelonë aspak e bukur, madje, deri e shëmtuar në disa raste, teksa Sportingu arrin të mbyllë të gjitha hapësirat. Suarez tenton, ashtu si edhe Mesi dhe Injesta, por goditjet e tyre neutralizohen me radhë nga ana e mbrojtjes kundërshtare. Dhe gjashtë kartonët e verdhë, të marrë nga Sportingu e tregojnë më së miri këtë. Një bllokadë totale për Mesin dhe shokët e tij që në fund, u është dhuruar një gol.

LEO – Ndërkohë, ajo që duhet theksuar është se, ndeshja e mbrëmshme duhet të shënonte një rekord treshifror për Leo Mesin, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Kështu, “Pleshti” argjentinas duhet të arrinte dje, në Lisbonë, 100 golat në kompeticionet evropiane. Ylli argjentinas ka tashmë 96 gola në Ligën e Kampionëve dhe tre në Superkupën Europiane. Numri i  tij i  jashtëzakonshëm, megjithatë, mposhtet nga Ronaldo, i  cili ka 110 gola (107 në Ligën e Kampionëve dhe 3 në Superkupën Europiane). Megjithatë, ndërsa lojtari i  Barcelonës i  ka arritur ato shifra në 118 ndeshje, ai i  Real Madridit e ka bërë këtë në 23 ndeshje më shumë (141). Numri 10 i  Barcelonës, gjithsesi, ka arritur shifrën e 593 ndeshjeve me Barcelonën, duke kapur rekordin e  Pujolit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *