Balaj lë pas makthin: Më ka munguar fusha, tani nuk dua të ndalem

0

Sulmuesi shkodran më në fund është kthyer në fushë. Javën e ardhshme shpreson të luajë dhe të shënojë, për të bindur Panuçin se është gati për kombëtaren

Vladimir Prenga

Një autogol i dha Ahmat Groznit fitoren 1-0 dje ndaj Rubin Kazanit, me ekipin çeçen që u kthye te fitorja pas një muaji pritjeje. Si për koinçidencë, ishte edhe dita e kthimit në fushë të Bekim Balajt. Sulmuesi shkodran më në fund ka lënë pas një dëmtim aspak të thjeshtë, që e mbajti larg fushave për disa javë dhe e detyroi të kryente një operacion. Balaj u aktivizua në minutën e 80-të, në vend të Bernard Berishës, ndërsa 5 minuta më vonë erdhi autogoli i Ozdoev. Pak minuta, por shumë të rëndësishme për sulmuesin shqiptar, i cili tashmë synon të kapë formën maksimale para ndeshjeve të kombëtares. Për “Sport Ekspres” Balaj flet pas rikthimit në fushë, duke u ndalur edhe te kombëtarja jonë…

-Bekim, riktheheni në fushë me Akhmat dhe në fakt me këmbë të mbarë, pasi skuadra juaj gjeti fitoren pas rreth një muaji. Si u ndjetë?

Normalisht dëshira ishte e mëdha të luaja dhe me thënë të drejtën më ka munguar fusha e blertë. U bënë 3-4 muaj që qëndroj jashtë nga një dëmtim i gjatë që kam pasur. Rrezikoja të kisha disa minuta, pasi kam vetëm një javë që stërvitem me ekipin. Më vjen mirë që luajta dhe arritëm të fitonim këtë ndeshje, që ishte e rëndësishme për ne. Tani duhet të shohim përpara dhe shpresoj të mos kem më probleme fizike, sepse më mungonte shumë fusha.

-Tashmë që jeni gati, besoj se mezi po prisni edhe të shënoni…

Të them të drejtën ndihem mirë, normalisht kam akoma shumë punë për të bërë për të arritur formën maksimale fizike. Gjithsesi kam filluar stërvitjen e plotë me ekipin dhe mendoj se do jem i gatshëm në të gjitha ndeshjet që do vijnë më pas.

-Do donit ta bënit më parë me Akhmat, apo me Kombëtaren?

Ndeshjen e radhës luajmë jashtë, në Shën Petersburg ndaj Tosnos. Shpresoj të kem më shumë minuta dhe pse jo edhe të shënoj. Pastaj janë ndeshjet e Kombëtares, por të shohim deri pas ndeshjes me Tosnos çfarë bëhet.

-Të fokusohemi te Shqipëria. Për shkak dëmtimi nuk ishit në dy ndeshjet e shkuara me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë. Si ju duk nga jashtë Kombëtarja?

I kam ndjekur ndeshjet e Kombëtares dhe besoj se është bërë një punë e mirë. Deri diku u arrit objektivi që kishim për vendin e tretë në tabelën e klasifikimit.

-Siç dihet, tashmë na drejton një trajner i ri si Kristian Panuçi. A keni komunikuar me të? Nëse po, çfarë ju ka thënë?

Kam bërë një bisedë me trajnerin para grumbullimit të fundit, pasi më pyeti për gjendjen që kisha. Isha i dëmtuar dhe nuk u bëra dot pjesë e ekipit për atë grumbullim.

-Besoj se nga ana juaj ka pasur një farë kurioziteti për mënyrën se si ai punon. Roshi do ju ketë treguar ndonjë gjë…

Normalisht kam folur me Roshin dhe më ka treguar. Është një trajneri i ri, shumë kërkues, punëtor. Tani të shohim, shpresojmë të kemi edhe rezultate.

– De Biazi është një kapitull i mbyllur për Shqipërinë. Tashmë epoka “Panuçi” ka nisur. Sa besoni te suksesi i Kombëtares në vazhdimësi?

Mendoj që për këto kualifikuese u arrit, pasi arritëm vendin e tretë. Në kualifikueset e tjera për Europian mendoj që do jemi në pozita deri diku të mira, që në hedhjen e shortit, ndoshta edhe me pak fat për të shmangur kundërshtarët e fortë. Gjithsesi dëshira dhe pritshmëria është e lartë nga të gjithë. Shpresojmë të bëjmë më të mirë, të marrim maksimumin dhe pse jo të kualifikohemi.

-Dy ndeshjet e radhës luhen ndaj Spanjës dhe Italisë. Është gati Balaj për to?

Kam vetëm dhjetë që bëj stërvitje të plotë. Ishin minutat e para pas një kohe të gjatë, pasi vij nga dëmtimi. Gjithsesi, kemi edhe një ndeshje para dy ndeshjeve të Kombëtares dhe do jetë trajneri ai që do vendosë nëse do jem pjesë e grumbullimit apo jo.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here