A refuzohet Reali? Trajneri më i talentuar në Gjermani tregon pse e bëri!

Sa shanse ka në jetë që të marrësh një ofertë për t’u bërë trajner i Realit të Madridit në moshën 30-vjeçare? Zero, apo jo? Bëhet fjalë për klubin më të madh në botë, që nuk bën eksperimente me një ndër stolat më të nxehtë në planet.

E megjithatë, në qershor Reali i bëri ofertë trajnerit gjerman Julian Nagelsman dhe ky i fundit tha “Jo, faleminderit!”.

A është e mundur? Në fakt, tani vetë trajneri i talentuar i Hofenhajmit konfirmon gjithçka, në një intervistë për 11freunde.de. Reali e kontaktoi në qershor, por Nagelsman zgjodhi RB Lajpcigun, ku do të shkojë verën e ardhshme, pasi të qëndrojë edhe një vit në Hofenhajm.

Nuk është se nuk e mendova këtë ofertë. Kush do e refuzonte një telefonatë nga Reali? Megjithatë, gjithçka erdhi paksa herët, mendoj. Jam në një pozicion komod, jam 30 vjeç dhe karriera ime si trajner ecën mjaft mirë. Mund të kem një shans tjetër në këto nivele pak më vonë. Përveç kësaj, për arsye familjare nuk më leverdiste të lëvizja jashtë”, shpjegon Nagelsman, i cili prej vitit 2016 drejton me sukses të jashtëzakonshëm Hofenhajmin.

Nagelsman shpjegon edhe filozofinë e tij të jetës: “Problemi i shoqërisë sonë është tendenca për të maksimizuar gjithçka. Gjithçka bëhet për t’u dukur më shumë se të tjerët. Të kesh makinën më të madhe, llogarinë më të madhe bankare, shtëpinë më të madhe. Unë nuk dua të jem i tillë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *