Ka qenë një objektiv edhe në të shkuarën, por vetëm sot është arritur marrëveshja. Shpëtim Moçka është zyrtarisht i Tiranës, pasi ka nënshkruar për një vit me bardheblutë. Portieri vlonjat është paraqitur në ambientet e klubi dhe ka pozuar me uniformën e kryeqytetasve.
“Është prezantuar sot në ambientet e klubit, portieri Shpëtim Moçka për Tiranën Superiore. Futbollisti nga Vlora ka qenë i pranishëm në zyrat e klubit për të nënshkruar kontratën 1-vjeçare që e bën zyrtarisht bardheblu. Moçka vjen si një përforcim me vlera për skuadrën në prag të sezonit të ri. Në sezonin e fundit portieri 28-vjeçar ka qenë pjesë e Teutës ndërkohë që numëron dhe të tjera eksperienca në klubet e Superiores”, shkruhet në njoftimin e Tiranës.