Zyrtare, Hebaj firmos në Slloveni

Kontratë 3-vjeçare për shkodranin. Të hënën Hebaj bashkohet me skuadrën në fazë përgatitore për pjesëmarrjen në Kupat e Europës

Gaspër Marku

Nuk ka më asnjë dilemë: Rubin Hebaj është zyrtarisht pjesë e skuadrës sllovene, Domzhale. Sulmuesi i talentuar shkodran ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin në fjalë dhe prej së hënës do të jetë në dispozicion të skuadrës së re për të vijuar përgatitjet e pjesëmarrjes për në Kupat e Europës. Nga sa bëhet e ditur për “Sport Ekspres”, kontrata e Hebajt me klubin slloven është firmosur, që me datë 15 qershor me drejtorin sportiv të Domzhales, Matej Orazhem, që është edhe djali i presidentit të klubit. I pranishëm në këtë ceremoni firmosje ka qenë edhe menaxheri i Hebajt, ish-futbollisti dhe ish-trajnerit shkodran, Edi Martini.

Në këtë mënyrë, 19-vjeçari Rubin Hebaj, djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Ritvan Hebaj konsiderohet zyrtarisht pjesë e skuadrës sllovene. Burimet në fjalë bëjnë të ditur se skuadra sllovene, si fituese e kupës së Sllovenisë, prej datës 11 qershor kanë nisur fazën përgatitore në një nga kampingjet turistike të Sllovenisë. Që prej kësaj date, me skuadrën duhej të ishte edhe Hebaj, por nisur nga angazhimet me ekipin kombëtar Shpresa U-21 dhe angazhimet në provimet e maturës, ai është lënë pushim deri këtë fundjavë.

Megjithatë, tashmë si pjesë zyrtare e klubit slloven, Domzhales, stafi teknik e ka angazhuar futbollistin shkodran me një plan individual për ta zbatuar gjatë qëndrimit të ditëve në Shkodër. Në verifikimet e bëra pranë Drejtorisë Rajonale Arsimore të Shkodrës, Rubin Hebaj figuron të jetë ndër nxënësit më të dalluar të qarkut, ku në tre provimet e para është vlerësuar me notat 9 dhe 10-të. Për të përfunduar angazhimet e maturës shtetërore, Hebajt i ka mbetur edhe një provim për të konsumuar, ai lëndës me zgjedhje, i cili është i planifikuar të zhvillohet paraditen e së premtes së 23 qershorit.

Burimet pranë menaxherit Edi Martini, por edhe familjes “Hebaj”, bëjnë me dije se me mbylljen e provimeve të së premtes, mëngjesi i së shtunës do ta gjejë futbollistin shkodran në udhëtim e sipër drejt Sllovenisë i shoqëruar si gjithnjë nga menaxheri Martini dhe babai i tij, Ritvan Hebaj. Përkundër ndonjë opinioni të shprehur në media se Hebaj firmos të shtunën me sllovenët e të Domzhales, një gjë e tillë nuk ka pse të ndodhë, sepse firmat e kontratës me drejtorin e klubit Matej Orazhem, Rubin Hebaj i ka hedhur që me datë 15 qershor 2017.

Vetë Hebaj, por edhe menaxheri i tij Martini, bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se udhëtimi të shtunën ka të bëjë vetëm me regjimin e futbollistit, i cili pasi të pushojë edhe të dielën, të hënën do të jetë i gatshëm t’i bashkohet skuadrës së re në seancën e parë stërvitore, duke nisur kështu një mision të ri, që për shkodranin duket se është në kohën e duhur dhe vendin e duhur për të bërë më të mirën në karrierën e tij sportive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online