Lajmi ishte në ajër, por duhej pritur zyrtarizimi, që nuk ka vonuar shumë dhe pas një sërë indicjesh, nga falënderimi i Kukësit e vetë mesazhet enigmatike të mbrojtësit, Flamurtari më në fund ka publikuar fotot e para të mbrojtësit me fanellën kuqezi…
Një goditje e madhe për vlonjatët, që vazhdojnë të jenë aktivë në merkato dhe ndoshta nuk do të ndalen me kaq. Sezoni i fundit, për mbrojtësin, nuk ka qenë aspak i mirë. Te Kukësi ka marrë shumë kritika, sidomos nga presidenti Safet Gjici…
Dhe, të mendosh, si për ironi të fatit, që një ndeshje jo e mirë mes Kukësit dhe Flamurtarit, do të bëhej edhe shkaku i lënies në stol të futbollistit, që më pas u kthye në të padëshiruar.
Mbrojtësi 25-vjeçar largohet kështu pas dy sezonesh te Kukësi, ku u shpall edhe kampion i Shqipërisë. Alla ka luajtur 51 ndeshje me verilindorët në Superligë, teksa ka edhe pesë paraqitje në kupat e Europës. Kukësi e mori nga Bylisi për një sezoni fantastik.
Në të shkuarën, Alla ka luajtur në Greqi me Ergotelisin, përpara se të vinte në Shqipëri.
Ka qenë menaxheri Franci Bode ai që ka kuruar këtë transferim, që fuqizon edhe më shumë skuadrën e Ilir Dajës, që pikërisht në prapavijë kishte shumë nevojë.