Pozitat e Maurcio Sarrit si trajneri i Çelsit janë lëkundur ndjeshëm pas rezultateve negative që skuadra londineze ka pësuar gjatë ndeshjeve të javëve të fundit. Media e njohur “ESPN” ka zbuluar se kandidati favorit për të zëvendësuar italianin është Zinedin Zidan.
Ish-trajneri i Real Madrid po pushon prej 9 muajsh dhe është gati për të provuar një eksperiencë tjetër pas atyre si trajner i ekipit rezervë të Realit e më pas te skuadra e parë, ku shkroi histori duke fituar tre Champions radhazi.
Sipas asaj që shkruan “ESPN”, Zidan i ka vendosur tri kushte miliarderit rus Roman Abramoviç. Së pari francezi kërkon një buxhet transfertash prej 200 milionë eurosh. Kushti i dytë lidhet përsëri me merkaton, ku Zidan kërkon vendimmarrje kryesore, pasi tani te Çelsi për këtë sektor është përgjegjëse kryesore rusja
Kushti i tretë është më i rëndësishmi dhe më i vështiri për t’u arritur. Zidan kërkon që klubi të arrijë marrëveshjen e rinovimit me Eden Hazard. Futbollisit belg është prej vitesh lojtari kyç i Çelsit, por së fundmi po përflitet gjithmonë e më shumë për një kalim të tij te Real Madrid.