Diego Godin është një nga mbrojtësit më të mirë në botë dhe gjatë merkatos së verës klube si: Mançester Junajtid dhe Juventus kërkonin shërbimet e lojtarit të Atletikos.
Klauzola e tij kishte një çmim të lirë dhe klubet e interesuara duhet të paguanin vetëm 20 milionë euro. “Djajtë e Kuq” nisën tratativat me uruguaianin dhe ishin pranë akordit, por 32-vjeçari vendosi të qëndrojë tek Atletiko e Madridit.
Diçka e tillë ka zhgënjyer klubin anglez dhe siç citon “The Mirror”, ata ndihen të përdorur nga Godin. Gjithçka ishte një lojë e kapitenit të Atletikos, i cili nisi tratativat me Mançesterin me qëllimin për të përfituar një kontratë të re me shifra më të larta ekonomike nga klubi aktual. Simeone nuk do të hiqte dorë kurrë nga shërbimet e një prej pikave kyçe të ekipit dhe si rrjedhojë spanjollët i afruan rinovim me përmirësim page, pavarësisht se lojtari akoma nuk ka firmosur zyrtarisht.
Anglezët janë të bindur në skenarin e Godin dhe klubi vuajti më vonë pasojat e refuzimit të mbrojtësit, sepse Totenhemi dhe Lester Siti rritën pretendimet e tyre financiare për mbrojtësit Alderuereld dhe Meguajër, duke e lënë Murinjon pa përforcuar mbrojtjen e tij.