Zdenek Zeman e ka drejtuar Romën gjatë dy periudhave të ndryshme dhe e njeh mirë ambjentin dhe mentalitetin e klubit roman. Ditët e fundit po flitet për një largim të trajnerit Di Françesko, me portugezin Paulo Souza, i cili mund t’i zërë vendin.
Çeku i famshëm për stilin e tij ultra ofensiv ka folur për një mundësi të tillë, duke komentuar deklaratën e Paulo Souzës, i cili ka shprehur gatishmërinë për të drejtuat Romën, problemet e Pastores në lidhje me skemën 4-3-3, kampionatin dhe çështjen e titullit, si dhe një koment për Shik, Dagllas Kostën dhe Lorenco Insinjen, të cilin e zbuloi vetë te Peskara, bashkë me Marko Verratin dhe Çiro Imobilen.
ROMA – “Souza do të shkonte me kënaqësi te Roma? Nuk është i vetmi, të gjithë duan të shkojnë, por problemi është të qëndrosh aty. Roma është një pjacë e rëndësishme, edhe tani që gjërat nuk po shkojnë ashtu siç pritej. Për një trajner është problem të qëndrojë gjatë në stolin e Romës. Çdo vit verdhekuqtë shesin lojtarë të rëndësishëm dhe kur vepron kështu, nevojitet kohë për të integruar lojtarët e rinj në ekip. Nuk është një problem cilësie, por ambientimi. Pastore? Është një lojtar i aftë, por vështirë ta vendosësh të luajë me skemën 4-3-3: nëse e vendos në treshen e mesfushës, ekipi vuan shumë në aspektin difensiv. Shik? Ai është një qendërsulmues, por aty është Xheko.”
“Sa i përket kampionatit, Juventus nuk ka rivalë. Napoli dhe Interi po e ndjekin, por në fund bardhezinjtë nuk do të kenë probleme për të fituar titullin e radhës. Dagllas Kostën e kam ndjekur dhe në Gjermani dhe është një lojtar, i cili më impresionon. Teknikisht është shumë i aftë dhe mund t’i shërbejë Ronaldos, ndryshe nga Manxhukiç, i cili bën një punë tjetër në të gjithë fushën. Insinje? Është rritur shumë. Me mua shënoi 20 gola në dy sezone. Po luan mirë me Ançelotin dhe për faktin që Karlo nuk i jep shumë detyra mbrojtëse”, përfundon Zdenek Zeman.