Federiko Kieza është ai që ka rrëmbyer zemrat e tifozëve në Firence. Është rritur aty si lojtar dhe tanimë po shkëlqen. Klubet më të mëdha e kërkojnë, por për momentin ai mendon të luajë futboll dhe të argëtohet.
Kjo ka qenë dëshira e tij më e madhe që kur zbriti në fushën e blertë: “Isha gjashtë vjeç kur shkela për herë të parë në këto fusha. Mendimi im i vetëm ka qenë të shkel në fushë dhe të argëtohem”.
Nuk e fsheh se ka dashur të luajë në Serinë A, ashtu si babai i tij Enriko. Deri më tani po ia del mirë: “Duke para babanë tim duke luajtur, nuk e fsheh se edhe unë shpresoja të arrija të luajë në këtë nivel futbolli”.
Federiko vlerësohet me shumën e 60 milionë eurove, por i riu thekson se është paksa e ekzagjeruar. “Unë mendoj vetëm për të dëshmuar cilësitë e mia, edhe pse kjo shifër më duket e ekzagjeruar. Prioriteti im është të tregoj të diel pas të diele se kush është Federiko Kieza. Tani e gjithë vëmendja ime është te ndeshja e radhës me Kaljarin. E ardhmja? Jam i lumtur te Fiorentina tani. E përsëris, mendoj vetëm për ndeshjen e radhës”.
“Kë do të blija për 60 milionë euro? Më jepni edhe më shumë, pasi për një ‘top-player’ duhen 200 milionë euro. Unë do të merrja Kilian Mbape”, shprehet Kieza, duke treguar në këtë mënyrë edhe lojtarin e tij të preferuar.
KAPITENI ASTORI – Sulmuesi flet edhe Astorin, ish-kapitenin e Fiorentinës që u nda nga jeta rreth gjashtë muaj më parë. Kieza tregon rolin e tij në skuadër dhe se si i trajtonte të rinjtë kur vinin në skuadër. Ai rikthen në skenë edhe për pritjen që i ishte bërë kur ishte bashkuar me ekipin e parë të Fiorentinës.
“Davide Astori ishte një kapiten për të gjithë ne, ai jepte 110 për qind në fushë dhe jashtë saj. Ai bëri të mundur bashkimin e të gjithëve në dhomat e zhveshjes. Kur Vitor Hugo mbërriti te ne nuk dinte asnjë fjalë italisht. Astori ishte ai që bëri që ai të kuptonte, përmes gjesteve, atë çfarë donte trajneri. E njëjta gjë edhe me lojtarët francezë.
Sa herë që vinte një lojtar i ri dhe shtohej në grupin tonë në WhatsApp, mesazhi i tij ishte i pari: ‘Përshëndetje, mirëserdhe’. Kur shkova për të herë të parë në stërvitje me ekipin e parë, më kujtohet se aty ishin Davide dhe Bernardeski. Ai ishte i pari që më përshëndeti. Në tryezë gjithmonë rrija pranë tij, ai më bëri të ulem aty. Hapësira mbetet, Davide është gjithmonë me ne”, thotë Kieza.
KOMBËTARJA – Tanimë sulmuesi i Fiorentinës është bërë edhe pjesë e Italisë dhe elozhet nuk kanë qenë të pakta për të. “Kjo është një Itali e re dhe është ende shumë rrugë për t’u bërë. Prioriteti im është që të jem gati për trajnerin e kombëtares. Unë nuk ndihem si titullar apo si shtyllë e ekipit, thjesht dua të tregoj se e meritoj fanellën e kombëtares. Do punoj që të siguroj një ftesë për ndeshjen e radhës. Mançini po nis një projekt të ri. Ai gjithmonë na kërkon ne të luajmë të qetë dhe të lirshëm, pa presion”, përfundon Kieza intervistën e tij për “Corriere dello Sport”.