Zbehet pista Shehu, çështje kontratash te Partizani

Partizani po përgatitet në Slloveni, ndërkohë që drejtuesit po punojnë të përforcojnë ekipin. Një ditë më parë është zyrtarizuar marrëveshja me mesfushorin Rron Broja, që duket se i bën disa gjëra “lëmsh” në klubin e kuq.

Me afrimin e tij mund të konsiderohet një çështje e mbyllur pista Julian Shehu. Mesfushori i Shqipërisë U21 ishte një nga dëshirat e Partizanit dhe me drejtuesit e Kastriotit ka pasur edhe bisedime. Palët patën madje edhe një akord, por të kuqtë sikur u tërhoqën dhe mbetet të shikohet se ku do të luajë Shehu sezonin e ardhshëm.

KONTRATAT – Egzon Belica dhe Ardit Hila janë lojtarët të cilëve sot u mbarojnë kontratat. Ende me asnjërin prej tyre nuk ka marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit. Para disa ditësh në Slloveni mbërriti një mbrojtës, Muarem Axhem, i ngjashëm me Belicën.

Së fundmi ka nënshkruar edhe Rron Broja, i cili luan në të njëjtin rol me Hilën. A po “gatuhet” diçka nuk dihet, por është fakt që me të dy lojtarët kampionë të sezonit të shkuar gjërat duhet të ishin mbyllur me kohë.

Të dy kanë qenë shumë të rëndësishëm në fitimin e titullit vjet dhe janë nga ata që i bëjnë goxha punë të kuqve edhe për të ardhmen. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me ta, sikurse edhe me lojtarë të tjerë që dalin të lirë nga dita e nesërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *