Zaniolon e “spiunojnë” shokët, gjigantët e Evropës “fërkojnë” duart

Juventusi prej vitesh është “grabitqari” i talenteve italianë. Klubi torinez prej kohësh mundohet të sjellë sa më shumë talente, që militojnë në Serie A. Një nga të rinjtë e ndjekur nga Anjeli e Paratiçi është Nikolo Zaniolo. 19-vjeçari ka bërë një vit shumë të mirë me Romën, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Angli dhe Juventusit në gadishull.

Duke iu referuar mediave italiane, më saktësisht “Corriere Torino”, fantazisti dëshiron të transferohet në Torino. Zaniolo mbrëmjen e djeshme ka qenë në një festë në provincën e tij të lindjes, Sarzana. Në bisedë e sipër, pasi e kanë pyetur nëse dëshiron të transferohet te Juventusi, ai ka shprehur miratimin e tij.

“Jam shumë mirë në Romë, por kush nuk do të  donte të të shkojë te Juventus? Por tani do të vendosja për Romën”, është shprehur djaloshi në praninë e shokëve të tij. Kohët e fundit bisedimet e tij me klubin nga kryeqyteti kanë ngecuar dhe kjo deklaratë e ngroh Juven, që pritet të hidhet në sulm për ta bërë të vetin. Shitja e tij do të ishte një biznes i mirë për Romën. Ata e morën nga Interi për vetëm 4,5 milionë euro dhe pritet ta shesin për më shumë se 50 milionë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *