Tobi Alderuireld është një “ish” në Amsterdam. Mbrojtësi i Totenhemit ka hedhur hapat e para me Ajaksin, për të arritur më pas të luajë në një kampionat aq kompetitiv sa Premier Liga. Mbrojtësi ka foluar për mediat në lidhje me një kthim në “dashurinë” e tij të parë, Ajaksin, dhe mikpritjen që ata treguan në kthimin e tij në “Johan Cruyff Arena”, këtë herë si kundërshtar. Belgu bëri një kontrast me sjelljen e tifozëve të Liverpul me Suarez. Gjithashtu ka përjetuar një ndjenjë të dyfishtë në mbrëmjen e së mërkuarës.
“Nuk dua të bëj deklarata të bujshme. Gjithsesi kthimi tek Ajaks është 100% në mendjen time. Kam përjetuar momente shumë të mira këtu. Familja ndihej shumë e lumtur gjithashtu. Totenhemi në finale? Të shohësh si e nisëm këtë kompeticion dhe si shkoi kjo ndeshje, kjo tingullon si diçka e çmendur.”
“Nuk jam tej mase i gëzuar, pasi më lëndon fakti që Ajaksi është eliminuar. Është një ndjenjë e çuditshme, e dyfishtë. Këtu tifozët na kanë pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. U jam mirënjohës. Ishte një situatë tërësisht e kundërt nga ajo çka pamë me Luis Suarez në Liverpul”, përfundoi 30-vjeçari.