Redon Xhixhën e ndaloi vetëm traversa për të qenë heroi i Laçit ditën e sotme. 20-vjeçari lëshoi një goditje nga më shumë se 50 metra, duke e gjetur portierin kundërshtar të papërgatitur. Megjithatë, topi përfundoi në shtyllë.
Sulmuesi është shfaqur para gazetarëve të pranishëm në stadiumin e Laçit pas barazimit 1-1 ndaj Hapoel Ber Sheva. Sulmuesi, ashtu si Selmani, shprehet i mërzitur për golin ë shënuar, ndërkohë që skuadra e tij bëri një lojë më të mirë.
REZULTATI – “Sot bëmë një ndeshje fantastike, falënderoj çunat që luajtën sikur kjo ishte ndeshja e fundit e tyre. Ky është futbolli, duhet t’i pranojmë të gjitha rezultatet”
GODITJA NGA DISTANCA– “Isha i vetëm përpara, nuk kisha mbështetjen e shokëve. Thjesht godita dhe me pak fat mund të shënoja. E kisha parë portierin, prandaj godita. E shoh shumë herë gjatë ndeshjes, thjesht nuk kisha fat. Sot i bëmë të gjitha gjërat në rregull, zbatuam me përpikmëri këshillat e trajnerit. Pësuam një gol nga një gabim i vogël. Tani do të shkojmë atje për të bërë maksimumin. Vështirësitë janë në çdo ndeshje, por futbolli është futboll dhe ne do të bëjmë gjithçka për kualifikimin”.
VLERËSIMET DHE E ARDHMJA – “Dikush flet mirë, të vlerësojnë, por unë duhet të ul kokën dhe të vazhdoj të punoj. Në të ardhmen, do të shikojmë çfarë do të ndodhë”, përfundoi Xhixha.