Granit Xhaka dhe Milot Rashica janë në Prishtinë, ku zhvilluan një ndeshje miqësore mes tyre. Dy futbollistët e njohur shqiptarë ishin edhe tek varri i ish-presidentit të ndjerë të Federatës së Kosovës, Fadil Vokrri. Si Xhaka, ashtu dhe Rashica, kanë folur për Vokrrin dhe e kanë vlerësuar maksimalisht:
“Po, është kënaqësi të jem këtu me Milotin për legjendën e Kosovës, Fadil Vokrrin. Krenar që e kemi pasur një legjendë si ai”, nisi fjalën e tij Granit Xhaka. “Kosova ka humbur një imazh shumë të lartë e të rëndësishëm. Edhe kur flas me trajnerin e kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkoviç, ai e njeh shumë mirë Vokrrin. Ndihemi krenar ku një person si Petkoviç e njeh një legjendë tonën”, u shpreh Xhaka.
Ndërsa Rashica tha: “Të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm ka qenë Fadili për ne. Jo vetëm për ne, për Federatën dhe për njerëzit në Kosovë, po në veçanti për ne si futbollistë, e kemi pasur një shembull të cilin jemi munduar ta ndjekim. Na ka përkrahur jashtëzakonisht shumë dhe normalisht që për të gjithë ne ka qenë një humbje shumë e madhe. Këto sukseset që i kemi arritur me Kosovën deri më tani, i dedikohen atij.”