Tirana do të presë pasditen e nesërme Laçin në kryeqytet, në një sfidë të vlefshme për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Një ditë përpara sfidës, në konferencën për mediat, ka folur zv/trajneri Erjon Xhafa, i cili ka prekur disa tema.
KUPA – “Objektivi ynë ky është, të vazhdojmë më tej. Ka një specifikë të veçantë Kupa, pasi ka 180 minuta dhe jo 90. Llogaritë bëhen pas ndeshjes së nesërme, ku duhet të luajmë me kujdes dhe të mos kalojmë në aventurë. Sepse kemi dhe ndeshjen e dytë, që të jep një mundësi korrigjimi. Duke qenë se luajmë ndeshjen e parë në shtëpi, duhet të jemi të kujdesshëm që mos t’i japim avantazh ekipit kundërshtar.”
LAÇI – “Laçi ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një ekip i vështirë për këdo. Është një ekip që ka disa vite që ka stabilitet si në lojë si në kontigjent brenda lojtarëve. I marrin maksimumin ekipit që kanë, dhe janë shumë të rrezikshëm. Kanë një luftë sportive të mirë dhe kanë një organizim brenda klubi që unë e njoh mirë, duke qenë se kam punuar një vit atje. Duhet ta marrim shumë në konsideratë, prandaj edhe them që nesër nuk duhet të kalojmë në aventurë.”
AGRESIVITETI I LAÇIT – “I druhemi. Do të përgjigjemi edhe ne me agresivitet. Duke qenë se në agresivitetin sportiv ata janë shumë të mirë edhe ekipi ynë duhet të jetë i përgatitur për një luftë sportive, duke qenë se ekipi përballë bën një anë të fortë markimi dhe tranzicion shumë të mirë.”
PROBLEMI I FINALIZIMIT – “Shpresojmë që mos ta vuajmë këtë pjesë dhe të jemi më konkret te pjesa e golit. Se sa do ta vuajmë do ta tregojë fusha dhe ndeshjet nuk janë në bazë parashikimesh që ta parashikojmë se do të na funskionojë faza e sulmit. Kemi pasur probleme dhe i kemi korrigjuar gjatë rrugës, shpresoj të ndodhi e njëjta gjë dhe me golin.”
NDESHJA PA TIFOZË – “Normal që ndikon. Çdo skuadër kënaqësinë e ka kur i jep kënaqësi dhe tifozit. Për më tepër kur tifozët ishin në rritje në ndeshjet e fundit dhe kanë qenë një plus dhe favor në mbështetje. Gjithsesi, këtë herë duhet të jemi më të përqendruar se çdo ndeshje tjetër, pasi pa tifozë ndeshja të vë si në gjumë. Kështu që, duhet të jemi më të përqendruar se çdo ndeshje.”
KRAHASIMI MES LAÇIT DHE FLAMURTARIT – “Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë dhe ky kampionat po e tregon. Është një kampionat që nuk ka parashike. Aty ku po bëhen parashikime ndeshjet po dalin ndryshe. Nuk mund të them kush është ekip më i fortë dhe më i dobët. Ndeshja me Flamurtarin ishte një sukses, ndeshja me Laçin është një tjetër luftë dhe vështirësi tjetër. Nuk mund të bëj krahasime.”
FRYMA POZITIVE NË EKIP – “Është baza e sportit në përgjithësi. Morali i lartë, bashkëpunimi dhe harmonia që kanë me njëri-tjetrin, kjo gjë e jep rezultatin. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të vazhdojmë me këto rezultate dhe të mos e humbim këtë harmoni që kemi.”
MUNGESAT – “Kontigjenti është i plotë, me vetëm një mungesë, Grent Halili, i cili mungon për shkak kartonash.”
RËNDËSIA E TRE NDESHJEVE E RADHËS – “Çdo ndeshje ne kemi presion, pasi jemi nisur shumë poshtë. Duhet të jemi të kujdesshëm që këtë presion mos ta kthejmë në ankth, por ta shfrytëzojmë në anë pozitive. Nuk është se sezoni i Tiranës varet te këto tre ndeshje e radhës. Besoj se kemi ndeshje goxha, pasi kampionati është ende i gjatë. Duhet të marrim më të mirën ndeshje për ndeshje edhe pastaj do të bëjmë llogaritë.”
GJENDJA E NGO – “Ngo është mirë. Nuk ka ndonjë problem, thjesht lodhja ngaqë kanë qenë ndeshje të ngjeshura. Besoj se edhe pushimi na dha një disfavor, pasi patëm një ritëm të mirë dhe nuk donim të krijonim pushim. Gjithsesi, nuk ishte ndonjë pushim i gjatë dhe na dha edhe një pushim për disa lojtarë që mund të kenë pasur mbingarkesë.”