Tre javë ka Rezart Maho në pankinën e Vorës, e tashmë ai e sheh skuadrën të gatshme për t’u përballur me sfidat e vështira që do të luhen në gjysmën e dytë të këtij sezoni në Kategorinë e Parë. Për SportEkspres.com, Maho deklaron se me mbështetjen e Bashkisë dhe gjithë stafit teknik e lojtarëve, Vora do t’ia dalë që të mbijetojë në Kategorinë e Parë.
“Në këto tre javë përgatitje skuadra ka qenë serioze dhe i ka marrë ngarkesat e duhura për ta përballuar deri në fund sezonin. Besojmë shumë te synimi për mbijetesë dhe shpresoj se do ta nisim me këmbë të mbarë që në ndeshjen e fundjavës me Dinamon”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Vorës, i cili në përballjen me blutë ka edhe një rastësi nga historia e karrierës së tij si futbollist.
“Në karrierë gjithçka ndodh dhe kjo rastësi kundër Dinamos është diçka e bukur, por nuk është Dinamo kur unë kam luajtur. Gjithsesi, duke qenë profesionist natyrisht që gjithçka për mua është fitorja e Vorës. Kam shumë besim se do t’ia dalim”. Vora renditet në vendin e 10-të në Grupin A të Kategorisë së Parë me 6 pikë.
AGRON KAJA