Eridon Qardaku ka zgjedhur klubin e Bylisit për të hedhur hapat e parë si futbollist profesionist. Sulmuesi shkodran, i cili spikati me të rinjtë dhe shënoi 21 gola sezonin e shkuar, ikën me Vllazninë në zemër. Ndjenjat e tij për ngjyrat kuqeblu i ka shprehur përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”.
“Sa shumë vite të bukura dhe të paharrueshme. Po të filloj me falënderime do jetë shumë e vështirë sepse duhen falënderuar shumë persona. Do falënderoj nga zemra çdo trajner që më ka stërvitur, çdo drejtues të akademisë dhe çdo njeri tjetër që më ka ndihmuar në këto vite. Ndoshta është e vështirë të shprehem, por këto janë fjalë zemre, janë fjalë që dalin nga një person i dashuruar pas Vllaznisë.
Duke mos dashur ta zgjas shumë, do them vetëm që mbase një ditë do më humbasë mirënjohja me njerëzit ose diçka e tillë, por jam i sigurt që mirënjohja për ato ngjyra e për atë emër të madh nuk do humbasë kurrë. Emrin e Vllaznisë nuk e hedhin dot as 10, as 100, as 1000 e as 1 milion persona, sepse emri i Vllaznisë është i shenjtë.
Respekt, mirënjohje për çdo tifoz që më ka mbështetur, ndoshta edhe me një fjalë goje. Tani është koha për një hap më tepër në karrierën time, një hap që do e filloj me ekipin e mrekullueshëm të Bylis. Shpresoj të jap maksimumin tim dhe të gjithë së bashku të bëjmë një punë të mirë. Gjithmonë i juaji, gjithmonë zemrën me ju”, shkruan Qardaku.