Vllaznia ende nuk ka bërë asnjë afrim zyrtar. Shkodranët këtë sezon luajnë në Superiore dhe kërkojnë të jenë një tjetër skuadër në krahasim me dy sezone më parë. Engin Firat, drejtori sportiv i kuqebluve, një ditë më parë doli me një deklaratë dhe theksoi se deri në fund të muajit do tentojnë të bëjnë afrimet e duhura në skuadër.
Gjithashtu pritet të vendoset edhe në lidhje me trajnerin. Sezonin e mbylli Agim Canaj në krye të shkodranëve, por ende nuk dihet nëse vlonjate do të vazhdojë t’i drjetojë shkodranët edhe në Superiore. Me zgjedhjen e trajnerit do të mendohet edhe për rinovimet e kontratave.
PËRFORCIMET – SportEkspres.com mëson se një nga lojtarët e “piketuar” nga Vllaznina është mesfushori Herald Marku. Shkodrani, i cili spikati me Kastriotin, është një nga objektivat e kuqebluve dhe kontaktet e para mes palëve kanë nisur.
Futbollisti 23-vjeçar është produkt i Partizanit dhe për herë të parë në Superiore është aktivizuar me Tërbunin, për të provuar më pas veten në Gjermani. Këtë verë ai u rikthye në Shqipëri dhe me krutanët është aktivizuar në 23 ndeshje (20 titullar) dhe ka shënuar pesë gola.
Marku mund të aktivizohet në disa pozicione, si në treshen e qendrës së mesfushës, në krah të sulmit, por ka provuar të luajë edhe në linjën e majtë të prapavijës. Interesim për shërbimet e mesfushorit nuk ka vetëm nga Vllaznia dhe mbetet të shihet se ku do ta vijojë karrierën.