Me 28 maj, futbollisti shkodran Denis Pjeshka, ka mbushur 22 vjeç. Një moment që për çdo futbollist është koha të mendojë për një aventurë jashtë vendit. Por, një gjë e tillë nuk vjen shumë lehtë për t’u realizuar, sepse më parë duhet që në fushën e lojës të jenë shprehur më së mira vlerat e duhura. Dhe, për shkodranin që i përket repartit të prapavijës, specialistët e futbollit mendojnë se e ka arritur më së miri me atë kampionat shembullor që ka prezantuar sezonin e kaluar futbollistik.
I ardhur nga ekipet zinxhir, Pjeshka më së shumti ka qenë alternative e krahut të djathtë, ku edhe i ka pasur aktivizimet më të shumtë. Gjithashtu ai ka provuar të luajë edhe në qendër të mbrojtës, ndërkohë që me dëmtimin e Markut në të majtë, tekniku Cungu e zhvendosi në krah, duke bërë paraqitje të mira. Të gjitha këto nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga menaxherët, që për Denis Pjeshken kanë krijuar idenë se mund ta transferojnë jashtë vendit.
Burimet pranë futbollistit bëjnë të ditur se janë dy menaxherë që po e ndjekin hap pas hapi dhe sipas tyre, me paraqitjen e mirë që Pjeshka ka bërë gjatë sezonit të kaluar, është pëlqyer nga disa klube. Nga të njëjtat burime, mësohet se menaxherët në fjalë kanë mbërritur edhe në Shkodër, ku janë takuar me përfaqësues të klubit të futbollit Vllaznia dhe i kanë shprehur hapur dëshirën për ta transferuar futbollistin në një klub europian. Nga sa bëhet e ditur, zyrtarët e Vllaznisë u kanë bërë të ditur menaxherëve të interesuar se kontrata e Pjeshkës me Vllazninë është e firmosur deri në 2019-tën, që do të thotë se mbrojtësi kuqeblu është në dispozicion të Vllaznisë edhe për dy sezone radhazi.
Të interesuar për shërbimet e Pjeshkës janë edhe skuadra të tjera brenda kampionatit shqiptar, por nga sa bëhet e ditur, kontrata që ka Pjeshka me klubin kuqeblu ka bërë që kartoni i tij të jetë në kuota të larta, çka për momenti është bërë pengese për transferimin e tij brenda vendit. Të gjitha këto zhvillime, bisedime dhe kontakte të ndërsjella, thuhet se kanë qenë prezente gjatë kësaj periudhe që Vllaznia ka qenë pushim. Një gjë të tillë e pranon edhe vete futbollisti, që në një prononcim për “Sport Ekspres” thotë se ndjehet i vlerësuar për interesimin që ka pasur kohët e fundit nga menaxherët përkatës.
Ai falënderon Vllazninë që ia dha këtë mundësi që të evidentohej në fushën e lojës me uniformen kuqeblu dhe ndër të tjera pohon se do ta priste me shumë kënaqësi mundësinë e një përvoje jashtë vendit, por gjithsesi është i detyruar t’i bindet verdiktit të klubit. Nëse mes klubit dhe menaxherëve arrihet një akord për të ikur jashtë, Pjeshka do të ishte i lumtur, sikurse ai thotë për gazetën. Ndërkohë, duke e lënë çështjen në fjalë në dorën e menaxherëve që po merren me këtë punë, Pjeshka thotë se ashtu si edhe shokët e tjerë të skuadrës po pret se çfarë të rejash do të sjellë takimi i paradites të së enjtes në bashkinë e Shkodrës, prej të cilit varen në një farë mënyre edhe fatet e Vllaznisë së ardhme.