Ibrahimoviç si vera, Kristiano Ronaldo si vera. Kemi dëgjuar shumë të përdoret shprehja që “vera sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është”. Ndriçim Shtubina gjithsesi nuk është i vjetër. 31 vjeç dhe po përjeton një rini të dytë. Shifrat tregojnë se ky është sezoni më i mirë për shkodranin.
Verën e shkuar ishte Kukësi që e mori në skuadër, por Mladen Milinkoviç e përdori vetëm kur i duhej në mbrojtje. Më së shumti i besoi të riut Valon Ethemi. Në dhjetor verilindorët e lanë të lirë. I duhej besim dhe motivim. E gjeti te Laçi, aty ku u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm.
Ky sezon ka nisur më së miri për Shtubinën. Shkodrani është shënuesi më i mirë i kurbinasve, teksa ka gjetur rrugën e rrjetës 6 herë në kampionat. E kemi parë të luajë në majë të sulmit, në krah të mbrojtjes, në qendër dhe të krah të mesfushës. pavarësisht kësaj Shtubina kur del para portës di të shënojë. Eksperienca e tij vlen shumë.
Po të shikosh sezonet e mëparshme, “xholi” shkodran ka shënuar maksimalisht shtatë gola në sezonin 2013/14. Atëherë Laçi i bëri ofertë, por Shtubina zgjodhi Flamurtarin. Gjërat nuk i shkuan mirë në Vlorë dhe vetëm janarin e shkuar u bind të vishej bardhezi. Tanimë është vetëm një gol larg rekordit të tij personal.