Kampionati shqiptar vijon të humbasë lojtarë cilësorë, që vendosin ta vijojnë karrierën në Kosovë, aty ku ka para dhe seriozitet, ndryshe nga Shqipëria, ku futbolli është kthyer në një sëmundje pa shërim. Sot Gjilani ka kryer dy goditje në merkato, sepse fillimisht firmosi me mesfushorin Gerhard Progni, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes ka zyrtarizuar firmën me sulmuesin Tomislav Bushiç.
Kroati ka përvojë të madhe, nga Hajduku i Splitit ku u rrit e deri te Superiorja, ku luajti te Vllaznia, Tirana, Flamurtari e Teuta. Pas ndeshjeve në Europa League, Bushiç kërkoi largimin nga Teuta dhe arriti të gjente marrëveshje, edhe pse kishte edhe 6 muaj kontratë.
Me këtë sulmues Gjilani kompleton repartin e avancuar dhe thuajse është gati për kampionatin, ku synon një ndër 3 vendet e para.