Barcelona ka bërë detyrën në shtëpi dhe ka triumfuar ndaj Rajo Vajekanos me shifrat 3-1. Një sfidë, të cilët katalanasit e përmbysën, pasi miqtë kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë. Gjithsesi, Pike, Mesi dhe Suarez, i dhanë tri pikët ekipit të Valverdes.
Për sa i përket ndeshjes, Barcelona nuk e nisi mirë, pasi në minutën e 24-të e pa veten në disavantazh pas golin të Raul De Tomas, i cili shënoi me një të djathtë perfeke, duke mos lënë asnjë shans për Ter Shtegen.
Gjashtë minuta përpara fundit të pjesës së parë, katalanasit reaguan me Zherard Pikë, i cili në zhvillimet e një goditje dënimi, shënoi me kokë.
Në pjesën e dytë, ekipi blaugrana nuk la më asgjë në dorë të rastësisë por shënoi vetëm pas 5 minutave. Semedo arriti të fitojë një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol i zakonshmi Leo Mesi.
Më pas, në minutën e 82-të ishte Luis Suarez, i cili mendoi të mbyllte gjithçka, ku shënoi një gol alla-Barça. Super kombinim në zonë me Rakitiç, solli golin e tretë për Barcelonën, e cila marshon e qetë drejt titullit, pasi diferenca me Atletikon është plot shtatë pikë.
Barcelona – Rajo Vajekano 3-1
Shënues: Pike 39′, Mesi 50′(pen.), Suarez 82′ / De Tomas 24′