Eklent Kaçi dhe Besar Spahiu po marrin pjesë në kampionatin botëror të Bilardos, që po zhvillohet ne Lester në Angli. Dyshja kuqezi mposhti një ditë më parë Rusinë me rezultatin 3-7, ndërkohë që çuditërisht edhe kryeministri Edi Rama ka parë disa fragmente të ndeshjes.
Në një takim elektoral, pjesë e bisedës së tyre janë bërë edhe dyshja Kaçi-Spahiu, me këtë të fundit që ka dhuruar spektakël me një gur të marrë me kërcim dhe që kryebashkiaku Veliaj e shikon në momentet e bisedës. Rama, normalisht nuk e njeh këtë sport dhe dy bilardistët e spiktur. Kurbinasin Kaçi e bën kuksian, si Spahiun, dhe duket vërtetë i befasuar.
Sigurisht ata që i qëndrojë vërdallë nuk i kanë treguar se Kaçi është numri një në Europë, ka qenë numri një në botë, së fundmi ka fituar Euroturin e Austrisë dhe është kampion Europe në fuqi në Disiplinën 8-Ball. Pesë medaljet në Europianet e moshave, që përkthehen edhe në para referuar ligjeve të vendit tonë, i përkasin një të shkuare të largët, sigurisht.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve me siguri i dinë këto arritje, apo edhe faktin që si Kaçi e Spahiu ka edhe djem të tjerë që mund të na nderojnë me medalje në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi mbështetja për ta është zero. Fjalët e kryeministrit mund të jenë motivuese, por ç’e do kur prej kohësh bilardon e ka konsideruar sport rrugaçëror dhe për federatën përkatëse nuk akordohet asnjë fond. Kaçi e Spahiu e tërhoqën vëmendjen, por a mjafton?